| Emra dhe identitete: përse nuk quhem Besim? |
|
|
|
| Written by Ermal Hasimja |
| Tuesday, 23 June 2009 14:04 |
|
Ermal Hasimja Universiteti Europian i Tiranës A mund të rindërtojmë një histori identitare politike dhe ideologjike të shqiptarëve mbështetur te praktikat e përdorimit të emrave të përveçëm? Çfarë më thotë emri im për historinë e Shqipërisë ditën kur linda? Mund të supozojmë se regjimet dhe ideologjitë e ndryshme kanë lënë gjurmë e tyre onomastike. Jam përpjekur të analizoj në vija të trasha praktikat e zgjedhjes së emrave të fëmijëve përgjatë periudhës 1948-1999, duke mbledhur të dhëna përfaqësuese për vitet 1948-49, 1958-59, 1968-69, 1978-79, 1988-89 dhe 1998-99. Të dhënat janë marrë nga regjistri i një shkolle 8-vjeçare në Tiranë (Sabaudin Gabrani) duke u nisur nga arsyetimi se banorët e kryeqytetit kanë qenë më të ekspozuar ndaj ndryshimeve politike dhe ideologjike. Për të lehtësuar sipërmarrjen, emrat janë ndarë në 3 kategori kryesore: 1) emra me zanafillë shqiptare, 2) kontekstualë dhe 3) të huaj & fetarë. Kam klasifikuar si shqiptarë emrat endemikë që bartin kuptime gjuhësore ose historike të dallueshme (Fatmir, Besnik, Ilir, etj). Kam klasifikuar si kontekstualë emra të ngjizur nga shijet individuale të veçanta të prindërve (shpesh kriteri estetik fonetik mbizotëron mbi kriterin e kuptimit, prandaj disa emra nuk kanë asnjë kuptim në shqip: Aldi, Ergis, Igli, etj). Në raste më të rralla ata janë krijuar si ngjitje e rrokjeve të para të emrave të prindërve. Kam veçuar si emra të huaj & fetarë ata që burojnë nga tradita fetare dhe joshqiptare. Këta të fundit mund të kenë zanafillë myslimane, katolike, ortodokse ose thjesht pasqyrojnë horizonte kulturorë dhe lidhje shpirtërore të prindërve me vende të tjera (Persefoni, Ahmet, Alfons, Flavio, etj). Disa konstatime janë të dukshme nga analiza: 1. Komunizmi e gjeti Shqipërinë me një identifikim të fortë bashkësor në të cilin përbërësi fetar dhe endemik ka një vend mbizotërues. Shpeshtësia e emrave të kategorisë të huaj & fetarë dobësohet me kalimin e viteve për të arritur në minimumin e saj rreth 1978-s, periudhë që përputhet me pjekjen e regjimit komunist, rrënimin metodik të të gjithë simboleve fetarë dhe mbylljen përfundimtare të Shqipërisë. 2. Kategoria të huaj & fetarë do të rikthehet si mbizotëruese në fund të shekullit, por me një dallim të madh. Në 1998, rreth 32% e emrave të kësaj kategorie janë italianë në formën e tyre zanafillore fonetike: p.sh Flavio, Klaudio, Paola ose Anxhela, përkundër emrave me zanafillë latine të viteve ’50-’60 që janë në fakt forma plotësisht të shqipëruara që prej shekujsh dhe asnjëherë të huazuara në formën origjinale. Ky fakt pasqyron shumë qartë rolin e mërgimit masiv shqiptar në Itali në vitet ’90. Është interesant të vërehet se nuk ndeshim të njëjtën dukuri (të paktën jo me të njëjtat përmasa) në rastin e ndikimit të mërgimit të shqiptarëve në Greqi, që në fakt është po aq i konsiderueshëm për nga numrat. Kjo gjë duket se pohon një prirje identifikuese me pjesën kontinentale të Evropës dhe jo me fqinjët grekë, për të cilët ideologjia nacionaliste shqiptare ka rrënjosur stereotipe negative. 3. Risia e kategorisë të huaj & fetarë është futja në përdorim e emrave me burim anglo-sakson dhe madje edhe gjermanik. 4. Një shndërrim tjetër interesant në të njëjtën kategori: në listat e viteve 1948-49 pothuajse gjysma e emrave të huaj & fetarë vijnë nga burime myslimane, gjë që është e kuptueshme kur kihen parasysh përmasat mbizotëruese të bashkësisë myslimane në Shqipëri. E megjithatë në fund të diktaturës komuniste emrat myslimanë janë zhdukur plotësisht. Në 1988-89, në regjistrin e shkollës në fjalë ndeshet vetëm një emër mysliman, ndërsa 10 vjet më vonë nuk ka asnjë. Kjo dukuri ndeshet në përmasa më të vogla në rastin e emrave me zanafillë të krishterë, por këtu rezultatet turbullohen nga fakti se këta emra mund të përfaqësojnë njëkohësisht zanafilla fetare dhe kulturore. Kështu për shembull, është e pamundur të përcaktohet nëse emri Maria është zgjedhur duke iu referuar fesë apo sepse është një emër i përdorur gjerësisht në Itali. Ky problem i kategorizimit nuk ekziston te emrat myslimanë. Nuk ka mërgim shqiptar në vende myslimane dhe as shkëmbime të rëndësishme me ta (hiq rastin e Turqisë, që megjithatë nuk shquhet për ortodoksi fetare). Si përfundim, mund të kemi arsye të mira për të besuar se rritja e përdorimit të emrave të huaj & fetarë pasqyron mbi të gjitha një prirje identifikimi me Perëndimin, përtej të gjithë keqkuptimeve që kjo mund të sjellë. 5. Një tjetër përfundim përvijohet nga shqyrtimi i nivelit të përdorimit të emrave shqiptarë dhe kontekstualë në vitet ’70-’80. Përgjatë periudhe, emrat e huaj & fetarë ndeshën gjithnjë e më rrallë. Trysnia e regjimit komunist i shtyn individët të strehojnë identititen e tyre të projektuar pas emrave shqiptarë (megjithëse edhe këta në njëfarë rënieje) dhe sidomos drejt emrave kontekstualë. Kjo periudhë përfshin edhe emra si Marenglen, një ngjitje e rrokjeve të para të emrave të Marksit, Engelsit dhe Leninit. Zgjedhja e emrave kontekstualë jashtë çdo kuptimi gjuhësor dhe kulturor të veçantë u mundëson prindërve të viteve ’70 të ruajnë një lloj mëvetësie minimale identitare, jo dhe aq nga zgjedhja e lirë, sesa përmes shmangies së identiteteve onomastike ideologjike të epokës komuniste. 6. Një veçori e të gjithë kategorive është se emrat e viteve ’60-’70 nuk përbëjnë bazë frymëzimi për vitet e mëpasshme. Nëse një emër si Altin apo Arben përbën i vetëm nga 1 deri në 3% të emrave totalë, në 1998 nuk ndeshet më në regjistër. 7. Është interesant të vëresh në vitet e fundit shfaqjen e emrave kontekstualë të veçantë që zbulojnë shenja të vështirësive ekonomike apo shoqërore. Reagim i radikalizimit të kësaj prirjeje ishte dhe vendimi i Ministrisë së Brendshme (verë 2006) për të ndaluar emra që “cënojnë dinjitetin e fëmijëve”. Një krahasim me onomastikën shqiptare në Kosovë mund të jetë interesant. Këtu emrat përcaktohet nga problematika e qëndresës ndaj regjimit serb. Fakt i çuditshëm për një shqiptar të Shqipërisë, në Kosovë (por edhe në Mal të Zi e Maqedoni) janë të shumtë të rinjtë (lindur në vitet ’80-’90 që mbajnë emra vendbanimesh të Shqipërisë (Vlora, Saranda, Berat, Labinot) apo edhe lumenjsh (Shkumbin, Erzen, Vjosa, etj). Referenca nacionaliste ndaj “shtetit amë” bëhet më e qartë kur kemi parasysh se shqiptarët e Kosovës nuk përdorin toponime gjeografike kosovare për fëmijët e tyre. Mungesa e nevojës së identifikimit nacionalist ka bërë, përkundrazi, që në Shqipëri të mos jenë përdorur emra toponimesh kosovare, gjë që përgënjeshtron qartë tezën e prirjeve nacionaliste të enverizmit. Zgjedhja e emrave gjatë periudhës komuniste, si të gjithë përbërësit e tjerë identitarë (sjellje, veshje, gjuhë, muzikë, etj.) nuk i lihej rastësisë së shijeve prindërore. Këto shije përkufizoheshin nga hapësira e së mundshmes. Për të kuptuar hendekun mes traditës dhe kontekstit politik të kohës mjafton të kujtojmë mbiemrat familjarë të cilët nuk ndryshojnë dhe pasqyrojnë besnikërisht traditën. Hapja e Shqipërisë në 1990 liberalizoi zgjedhjen e emrave. Mund të pritej një braktisje e thjeshtë e hapësirave të vjetra të zgjedhjes onomastike dhe kthimi te tradita apo zgjedhjet me shumicë kontekstuale. Por kjo nuk ndodhi. Në rritje të pandalshme që prej vendosjes së regjimit totalitar e deri në fund të tij në 1990, emrat kontekstualë përdoren shumë më pak në vitet ’90. Poli tërheqës është tashmë ëndrra evropiane. Kjo e fundit ka dy përmasa: një mërgim i drejtpërdrejtë (shpesh pa kthim) dhe një përpjekje e përgjithshme e shoqërisë për integrim në B.E. Një ndryshim interesant ndodh paralelisht me ndërrimin e regjimit: është fjala për zhdukjen e plotë të emrave që i referohen vlerave bashkësore. Ndërrimi i regjimit sjell shndërrimin e vlerave. Me sa duket gjykimet aksiologjike nuk luajnë të njëjtin rol si më parë. Mund të shkohet deri aty sa të pyetet: në të vërtetë, a kanë ende ndonjë rol për të luajtur? Në kontrast të plotë, vërehet një tjetër dallim i qartë mes emrave të epokës komuniste dhe atyre të tanishëm: shkalla e individualizmit e shprehur përmes onomastikës. Gjatë viteve të komunizmit ndeshim shpesh emra që i referohen dukurive kolektive si ata të kategorisë së dytë të përmendur më lart (Përparim, Liri, Dije, etj). Përgjatë viteve ’90, paralelisht me uljen graduale të përdorimit të emrave shqiptarë, shohim tkurrjen e zgjedhjes së emrave brenda individit. I tillë është sidomos rasti i emrave kontekstualë që nuk përmbajnë asnjë domethënie përtej kontekstit të mbyllur të botëkuptimit të prindërve. Shumë prej këtyre emrave janë po aq të veçantë sa dhe të zhveshur nga kuptimi ekstra-individual. A mund ta shohim këtë si një përkthim onomastik i kalimit nga një regjim kolektivist në një regjim individualist dhe atomizues? Analiza e zgjedhjeve onomastike mund të ndihmojë në zbërthimin e proceseve të ngjizjes së identitetit dhe perceptimit të vetvetes. Ndryshimet në zgjedhje pasqyrojnë gjerësisht ndryshimet politike dhe ideologjike. Individët duan ta shohin veten ndryshe dhe e shohin veten ndryshe. Lufta kundër fesë gjatë komunizmit fshiu bazën onomastike fetare duke i detyruar individët ta përkufizojnë botën ndryshe. Identiteti individual nuk vendoset më në një sistem referues transhendent, por në një lojë të vazhdueshme mes ideologjisë zyrtare dhe asaj që mbetet prej sferës vetjake. Pas rënies së komunizmit, feja nuk duket se josh masivisht individët. Identitetet mbeten të përkufizuara në raport me ëndrra dhe synime tokësore. Nëse një fëmije shqiptar i vihet emri Flavio ose Paola, kjo vjen mbi të gjitha sepse prindërit e tij dëshirojnë (qoftë edhe pa e formuluar kështu) që fëmija i tyre të ketë jetën e një fëmije italian. Madje ka shumë mundësi që ata të kenë njohur edhe fëmijë italianë realë të quajtur Flavio ose Paola, nëse kanë patur rastin të jenë mërgimtarë në Itali. Pas emrave të tillë italianë, këta prindër “shohin” siluetën e një shtëpie, një makine, një shkolle dhe të prindërve (të vetes, ndoshta?) që fitojnë paratë e tyre me një punë normale. Nga ana tjetër, a mund ta marrim braktisjen e emrave shqiptarë, si simptomën e një kompleksi ndaj së shkuarës sonë? Marrëdhënia që prindërit kanë me emrat fetarë duket se e konfirmon këtë. Megjithatë trysnia e ushtruar nga komunizmi kundër semiotikës fetare nuk mjafton për ta shpjeguar, sepse në fakt zhdukja e emrave me origjinë myslimane nuk shoqërohet paralelisht me zhdukjen e emrave me origjinë të krishterë. Këta të fundit e kalojnë sitën më lehtë për shkak të lidhjes së natyrshme me kulturën perëndimore. A vjen kjo sepse krishtërimi konceptohet si përbërës i rëndësishëm i identitetit evropian? A është asimilimi i këtij identiteti një qëllim në vetvete? Nuk besoj. Është e nevojshme të kërkohet një tjetër qëllimshmëri në adoptimin e këtij identiteti të ri individual të përputhshëm me identitetin evropian (ashtu si ai përceptohet). Identiteti evropian mund të ketë shumë më pak rëndësi në vetvete sesa përparësitë konkrete të të qenit qytetar i Bashkimit Evropian: lëvizje e lirë, mundësi më të mira punësimi dhe pagese, siguri, mundësi shkollimi, pra shkurt, një jetë më e mirë ekonomike. Në këtë kontekst rigjejmë një prirje instiktive për të shmangur përbërësit e identitetit mysliman dhe për të nënvizuar përbërësit identitarë të përtypshëm nga Evropa. Për nga lidhja me të shkuarën dhe kontekstin e kohës emrat shqiptarë pasqyrojnë në mënyrë mjaft të drejtpërdrejtë perceptimin që individët kanë për veten dhe shpresat për të ardhmen. Në ditët tona, individualizimi i identitetit, zhdukja e referencave ndaj vlerave dhe ndikimi i interesave materialistë konkretë (simbolizuar sidomos nga emra perëndimorë) mund të përfaqësojnë përgjithësisht prirjet e krijimit të identiteteve të reja. Kjo hipotezë, shtjelluar e argumentuar nga përbërës të tjerë të analizës politike e sociologjike, mund të ndihmojë edhe për të ngritur një model analize të marrëdhënieve të përfaqësimit politik në Shqipëri. Rrjedhojat janë të rëndësishme. Kështu, në këtë sfond, do të humbasin kuptimin e tyre debatet e pasionuara si ata të disa intelektualëve shqiptarë mbi përkufizimin e ngurtë të identitetit shqiptar dhe evropian, pikërisht sepse trajtësimi i identitetit çlirohet nga zinxhirët historicienë, deterministë, volontaristë dhe ideologjikë. Historia dhe kultura nuk janë veçse dy përbërës mes shumë të tjerëve të identitetit individual e kolektiv dhe mesa duket, në rastin e shqiptarëve, përbërës tepër relativë. Unë nuk mund të kem vlera themeluese të identitetit të njëjta me ato të prindërve të mi dhe aq më pak me ato të stërgjyshërve të mi historikë apo mitologjikë. Rrjedhojat janë gjithashtu të rëndësishme për të qartësuar keqkuptimet e përfaqësimit politik. Ato relativizojnë interpretimet retorike dhe politike të votës së një pjese të shqiptarëve si votë e motivuar nga vlera bashkësore apo klanore (të cilësuara të prapambetura apo të dala mode). Përmes ngjyrës së saj shoqërore, onomastika shqiptare, zbulon një shndërrim të vlerave bashkësore e kolektive në vlera individualiste. Kjo duhet të jetë me sa duhet arsyeja përse prindërit e mi, pa patur nevojë ta formulojnë në mënyrë akademike, shmangën emrin “Besim” teksa zgjidhnin një emër për mua. * Ky shkrim është pjesë e një punimi më të gjerë mbi marrëdhëniet e përfaqësimit që do të botohet së shpejti. |





