| PERRALLA E INTEGRIMEVE |
|
|
|
| Written by Ermal Hasimja |
| Tuesday, 23 June 2009 14:13 |
|
Ermal Hasimja
Universiteti Evropian i Tiranës Brezi im besoj se e mban mend mirë një film vizatimor për fëmijë të Kinostudios që tregonte historinë e një plaku dhe tre djemve të tij dembelë. Në prag të vdekjes, plaku u thotë djemve të gërmojnë arën për të gjetur një thesar të fshehur në të. Djemtë gërmojnë, nuk gjejnë gjë, por meqë bënë gjithë atë punë vendosin ta mbjellin dhe më pas edhe ta korrin. Në fund e kuptojnë se thesari nuk ekzistonte, por u krijua nga puna. Do të dëshiroja ta rikujtoja këtë film si një metaforë të shfrytëzueshme për situatën aktuale. E gjithë elita politike shqiptare është përfshirë kohët e fundit nga një vrull konstruktiv për dy reforma të mëdha: atë të sistemit të drejtësisë dhe atë të sistemit zgjedhor. Arsyeja kryesore e këtij bashkëpunimi: na duhen për të marrë ftesën për NATO. Askush nuk mund ta përballojë etiketimin si bllokues i reformave që na duhen për NATO-n. Ky bashkëpunim është kaq mallëngjyes dhe inkurajues sa në fakt gati gati më vjen keq ta çmontoj në këtë shkrim, qoftë edhe nga frika e vockël se analiza të tilla, nëse përsëriten dhe shumohen, mund t’i nxisin palët t’i kthehen traditës kundërvënëse. Sidoqoftë nuk është kjo ajo që më intereson këtu. Shumë mirë që ndodh kështu. Megjithatë kjo frymë pozitive na shpalos disa përfundime të hidhura. Së pari, përse na duhet trysnia e të qenit “nxënës të mirë” para ndërkombëtarëve për të zgjidhur problemet tona madhore. A do të thotë kjo se këto reforma nuk do të ishin bërë, ose do të ishin bërë me imponim dhe pa bashkëpunim, nëse nuk do të kërkoheshin për antarësimin në NATO? Mos do të thotë kjo se një paraqitje e mirë përpara ndërkombëtarëve është më e rëndësishme sesa zgjidhja e problemeve themelore të vendit? Fatkeqësisht pritshmëria e qytetarëve tanë është ndikuar fuqishëm nga disa nga ligjërimet boshe të elitës politike. Orientimi i pritshmërisë drejt integrimeve është elementi më i dukshëm. A thua se integrimi, në nivelin e tij simbolik është qëllim në vetvete: hyrja në familjen evropiane, kthimi në gjirin e Evropës, e slogane të tjera boshe. Në vitin 1991, teksa brohorisnin “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” shqiptarët në fakt nënkuptonin “E duam Shqipërinë të pasur”. Evropa nuk përbënte ndonjë imazh simbolik, madje as politik. Përveçse për intelektualët, për shumicën dërrmuese të shqiptarëve, Evropa nënkuptonte një shtëpi, një makinë, një punë të paguar mirë, ushqime cilësore pa tollona, rrugë, drita, ujë. Aspak sublime, por shumë legjitime si ëndërr. Nuk besoj se ka ndryshuar diçka në thelb. Sipas të gjitha gjasave shqiptarët nuk presin ndonjë hyrje emocionuese në ndonjë realitet simbolik, por ndryshimin e realitetit aktual, duke shpresuar në një lloj magjie ekonomike, gjë që lenë qëllimisht të nënkuptohet qeveritë shqiptare. Një nga vlerat konkrete që disa prej më cinikëve dhe njëkohësisht më të sinqertëve prej nesh, shohin tek orientimi integrues, është pikërisht trysnia demokratizuese. Shyqyr që është integrimi që këta që kemi në krye të realizojnë ndonjë reformë të hajrit! Por kjo është një pritshmëri minimale, e kthyer përmbys dhe për të të ardhur keq. Reformat duhet të bëheshin jo për hir të integrimit, por për hir të shqiptarëve. Nuk mund të nxisë integrimi reformat, por përkundrazi integrimi duhet të vinte si pasojë e reformave. Madje do të shkoja edhe më tej: reformat do të duhet të bëheshin pavarësisht integrimit. Dhe nëse do t’i duheshin vendit, edhe kundër integrimit. Më mirë të ishim një vend i paintegruar në BE, por i pasur si Zvicra, sesa një vend relativisht i varfër, por i integruar si Bullgaria. Kjo është historia që tregon pak a shumë edhe filmi ynë vizatimor me djemtë dembelë që zbulojnë vlerën e punës duke kërkuar qylin. Nëse dikush do të përpiqej të më mbushte mendjen se këto reforma do të ishin bërë edhe pa NATO-n, atëherë do t’i përgjigjesha: përse nuk ekziston gjithë ky vullnet për të zgjidhur sot PROBLEMIN më të madh që ka vendi: problemin e pronave? Mos ndoshta po kërkojmë të hyjmë në histori si vendi i parë në botë që dëshiron të ndërtojë kapitalizmin pa garantimin e pronës private? Apo mos duhet të shpresojmë që ky problem të zgjidhet atëherë kur NATO-ja dhe BE-ja të na e vendosin si kusht integrimi? Besoj se funksionimi shembullor, pozitiv, por edhe hipokrit i bashkëpunimit për reformat në drejtësi dhe sistemin zgjedhor mund të shërbejë si shembull dhe vrull inertik për zgjidhjen e çështjes së pronave. PS-ja dhe PD-ja mund ta zgjidhin këtë problem njëherë e mirë përmes një konsensusi madhor që mban si synim përfundimtar ndërtimin më në fund të kapitalizmit shqiptar. Jo me fjalë, por me vepra. Arsyeja kryesore përse kjo nuk ka ndodhur deri tani është se asnjëra palë nuk ka dashur të marrë përsipër koston zgjedhore të një reforme të tillë, që do të jetë e dhimbshme, kurdo që të bëhet. Dhe dikur duhet të bëhet. Por një vendim i marrë përmes konsensusit do ta ndante koston mes të dy palëve. Fakti që kjo nuk po bëhet vërteton saktësisht hipokrizinë e bashkëpunimit mes palëve për reformat që na kërkon NATO-ja. Zhvillimi ekonomik i vendit duhet të jetë synimi madhor i veprimit politik. Ai duhet t’i paraprijë integrimit dhe jo anasjelltas. |





