Barazia në arsimin e lartë PDF Print E-mail
Written by Ermal Hasimja   
Tuesday, 23 June 2009 14:14

Në mbledhjen e fundit të qeverisë kryeministri Berisha dëshmoi se është plotësisht i vetëdijshëm për sfidat aktuale të arsimit të lartë. Ajo që është për t’u vlerësuar mbi të gjitha është sidomos

vetëdijësimi për nevojën e zbatimit të standardeve dhe instuticionalizimit të konkurencës së barabartë mes sektorit publik dhe atij privat.

Monitorimi i zbatimit të standarteve është hapi i parë. Kryeministri premtoi angazhimin e një firme të huaj në këtë proces. Ajo që mund të parashikohet lehtë është se kjo firmë do të konstatojë se disa universitete private janë modele të edukimit universitar, ndërsa disa të tjerë vegjetojnë duke kontribuar në paragjykimet negative ndaj sektorit privat në përgjithësi. Gjithashtu kjo firmë do të mund ta konstatojë se shumë departamente, degë apo fakultete të universiteteve publike janë në gjendje të mjerueshme dhe nëse do t’u ishte dashur të merrnin licensë njësoj si privatët, vështirë se do t’ia dilnin të plotësonin qoftë edhe standartet bazike. Në kontrast me to, natyrisht do të mund të ndeshte edhe në departamente ku punohet me seriozitet.

Monitorimi i zbatimit të standarteve është kërkuar me kohë nga një pjesë e universiteteve private. Ky është edhe një nga kërkesat publike më të zëshme të Konsorciumit Universitar që bashkon Universitetin Evropian, Polisin, Luarasin dhe Marubin. Klasifikimi i universiteteve publike dhe private në varësi të standardeve do të ndihmonte studentët të zgjedhin më të përshtatshmin për preferencat e tyre, do të treste paragjykimet ndaj sektorit privat dhe mbi të gjitha do të vendoste kriterin e parë të trajtimit të barabartë mes publikes dhe privates. Natyrisht barazia përpara standardeve nuk është thjesht një qëllim në vetvete, por edhe një kërkesë e domosdoshme për të nxitur konkurencën pozitive.

Në të njëjtën mbledhje, z.Berisha tregoi gjithashtu se është i ndërgjegjshëm se në kushtet aktuale “sektori publik bëhet një konkurent i pandershëm e i pamëshirshëm” (citova fjalët e tij). Elementi i parë i pabarazisë përpara ligjit ishte ai që konstatoi edhe vetë kryeministri, pra moszbatimi i deritanishëm i standardeve të njëjta për publikun dhe privatët. Ndërsa një privat nuk mund të marrë licensën pa plotësuar qindra kërkesa dhe kritere ligjore e akademike, universitetet publike e kanë licensën të garantuar pavarësisht gjendjes në të cilën ndodhen dhe që është lehtësisht e konstatueshme.

Elementi i dytë i pabarazisë është trajtimi financiar. Por këtu pabarazia nuk është thjesht midis universiteteve, por midis studentëve të publikut dhe privatit. Të gjithë shqiptarët paguajnë taksa dhe një pjesë e tyre shkojnë për arsimin e lartë. Mirëpo vetëm një pjesë e shqiptarëve përfitojnë nga këto taksa: vetëm ata që kanë fëmijët e tyre në universitetet publike. Fatkeqësisht, prindërit e studentëve të universiteteve private paguajnë taksa nga të cilat nuk përfitojnë asnjë lek. Për ta bërë më të qartë po marr një shembull të ngjashëm. Të gjithë shqiptarët paguajnë taksa dhe me një pjesë të tyre financohet aktualisht rruga Durrës-Kukës. Mendoni tani sikur pas përfundimit të rrugës shteti t’u thotë njerëzve: “pavarësisht se të gjithë kanë paguar taksa për këtë rrugë, disa do të kalojnë këtu falas, ndërsa disa të tjerë duhet të kalojnë nga ndonjë rrugë private duke paguar koston vetë”. Natyrisht kjo do të ishte e padrejtë. E njëjta padrejtësi qëndron edhe në rastin e trajtimit të universiteteve publike e private. Shteti u merr taksa të gjithë shqiptarëve, por prej tyre përfitojnë vetëm disa syresh, ndërsa të tjerët paguajnë kosto shtesë. Sikur të mos mjaftonte kjo, përpara disa javësh, kuvendi miratoi vendosjen e TVSH-së për universitetet private duke e rënduar me 20% tarifat e shkollimit.

Cila është zgjidhja? Cilado qoftë, nuk do të jetë e lehtë, sepse do të përballet me një mendësi të vjetër që diskriminon dhe shikon me dyshim sektorin privat. Por parimi është i thjeshtë dhe nuk na lejon të gabojmë: nëse të gjithë paguajnë taksa për arsimin, atëherë të gjithë duhet të përfitojnë prej taksave që paguajnë. Qeveria mund t’u japë të gjithë studentëve një shumë të caktuar (në një formë të përshtatshme që shmang abuzimet) të cilën ata mund ta shpenzojnë në universitetin që duan, publik ose privat. Me një gur vritet një tufë e tërë me zogj. Së pari zbatohet barazia e plotë kushtetuese në raport me taksat që shqiptarët paguajnë. Së dyti, nxitet konkurenca mes universiteteve të çdo sektori si dhe brenda sektorëve për të rritur cilësinë dhe për të tërhequr studentët më të mirë. Së treti, çdo student shqiptar do të ketë mundësinë të zgjedhë saktësisht universitetin dhe degën që dëshiron. Së katërti, kështu qeveria nxit investimet në sektorin e arsimit të lartë privat, orientim që e pohoi si prioritar edhe vetë kryeministri. Së pesti, qeveria heq qafe sikletin e pranimit të qindra studentëve të tepërt në kushte të papërshtatshme në universitetet publike, duke i dhënë frymëmarrje dhe mundësi përmirësimi këtij të fundit. Kjo listë është në fakt tepër e gjatë për hapësirën e këtij shkrimi.

Ekziston mundësia që paratë e dhëna nga shteti të mos mjaftojnë për të mbuluar të gjithë koston e shkollimit dhe studentëve do t’u duhet të shtojnë një pjesë të tyre vetë. Kjo është pjesa që tremb mbrojtësit e sistemit aktual. Kjo do të thoshte se edhe universitetet publike eventualisht mund të kishin një kosto më të lartë për studentët e tyre. Por zgjidhja nuk mungon. Qeveria mund t’u japë bursa të veçanta studentëve me nevoja të veçanta duke paguar 100% faturën e shkollimit të tyre, por natyrisht mbi bazën e kriterit të angazhimit dhe motivimit. Aktualisht në universitetet publike ka qindra studentë që nuk e marrin shkollën fare seriozisht, mbesin rregullisht në provime ose kalojnë me metoda alla shqiptarçe, jo vetëm duke abuzuar me veten, por në rrdhë të parë duke abuzuar me paratë e taksapaguesve. Ata mendojnë se shkolla është falas, por në fakt shkollën e paguajnë shqiptarët, përfshirë edhe prindërit e studentëve të universiteteve private që nuk përfitojnë prej parave të tyre. Sistemi që propozova më lart, dhe që në fakt është në qendër të kërkesave të disa universiteteve, përveç garantimit të barazisë, garanton edhe drejtësinë në përgjithësi. Ai favorizon studentët që lodhen nëpër auditore dhe biblioteka dhe dekurajon studentët e përjetshëm apo hileqarë që keqpërdorin paratë e taksapaguesve shqiptarë. Argumenti se përmes financimit të universiteteve publike, qeveria mbron studentët në nevojë nuk është i vlefshëm. Rreth 50% e studentëve në dy-tre universitete private që i njoh mirë e paguajnë shkollimin e tyre përmes kredive bankare, pa llogaritur këtu borxhet familjare. Unë mendoj se këta studentë të sakrificës kanë po aq të drejtë sa dhe ata të universitetit publik që të përfitojnë nga taksat që paguajnë prindërit e tyre.

Një nga qëndresat që mund të ndeshë një reformë e tillë lidhet me koston e presupozuar zgjedhore që mund të ketë ky ndryshim dhe sidomos heqja e mundësisë së shkollimit falas ose pothuajse falas në universitetin publik. Por kjo kosto llogaritet shumë keq. Së pari, nga një pikëpamje relativisht cinike mund të themi se edhe studentët e universiteteve private janë votues të mundshëm dhe nuk ndihen aspak mirë në një sistem arsimor që u merr taksa për t’ua dhënë të tjerëve, pa përfituar asgjë vetë. Së dyti, qindra studentë të motivuar në universitetet publike ndihen të braktisur dhe të neglizhuar në kushtet në të cilat bëjnë mësim, aq më tepër kur tashmë mund të bëjnë krahasime me kushtet pedagogjike e infrastrukturore të disa prej universiteteve private. Sidoqoftë, përtej përllogaritjeve të tilla në kufinjtë e pragmatizmit politik, do të mjaftonte vetëm zbatimi i parimit të barazisë së qytetarëve përpara ligjit për të ndriçuar udhën në të cilën do të duhet të ecte reforma e arsmit të lartë.

Prioritetet që shpalli kryeministri në mbledhjen e fundit të qeverisë janë natyrisht të përgëzueshme. Sfidat nuk janë të vogla, por në fund të fundit një qeveri nuk mbahet mend për fjalët, por për reformat transformuese. Kjo qeveri bëri hapin e parë madhor me reformën e maturës shtetërore, gjë që shmangu një sistem të kalbur e të korruptuar. Një reformë në financimin e arsimit të lartë, si ajo që parashtrova më lart, do të sillte rezultate të tilla që do të shërbenin si logoja e punës së kësaj qeverie në të ardhmen. Sfida është e madhe. Prandaj këtu me vjen në ndihmë slogani i Universitetit Evropian: E bën dot?
 

Universiteti Europian i Tiranës