Dosjet: tentativë për rishkrimin e historisë. PDF Print E-mail
Written by Ermal Hasimja   
Tuesday, 23 June 2009 14:15

Botuar në gazetën Panorama, 20 korrik 2008

Ermal Hasimja
Universiteti Europian i Tiranës


Në një shkrim të para disa ditëve miku im Blendi Kajsiu ofronte një analizë mjaft interesante dhe të thellë të hapje-mbylljes ciklike të çështjes së dosjeve. Kajsiu e sheh këtë dukuri si një ritual të shoqërisë për ruajtjen e kohezionit kolektiv përballë krizës së vlerave morale e demokratike, për shplarjen e ndërgjegjes apo edhe shmangien e vëmendjes nga probleme si korrupsioni. Brenda kontekstit të shkrimit ai i krahason proceset e djegies së shtrigave me çështjen e dosjeve, në trajtën e një shëlbimi kolektiv.

Unë do të preferoja ta shihja këtë çështje nga një pikëpamje tjetër, jo si një proces të shestuar, dhe zhvilluar nga shoqëria në nivel kolektiv, por nga elitat aktuale me një qëllimshmëri të caktuar. Kam prirjen ta shoh vetëm pjesërisht këtë proces, njësoj si një pjesë e shqiptarëve, si një përpjekje për të hequr vëmendjen nga probleme të qeverisjes apo për të ushtruar presion ndaj kundërshtarëve politikë. Por ky shpjegim nuk më duket i mjaftueshëm për të gjithë vitet e tranzicionit. Mendoj se në fakt qëllimi kryesor i hapjes së çështjes së dosjeve është rishkrimi i historisë në një atmosferë të përgatitur e të ndezur herë pas herë mbi objekte të ndryshme.

Hapja e çështjes së dosjeve mund të synojë në thelb rishkrimin e historisë, pikërisht sepse nuk mund të bëhet pa një përkufizim të personazhit negativ ose të përgjegjësit të të këqijave të komunimit. Është interesant fakti që debati zhvillohet në një terren të përkufizuar qartë.  Duket se të gjithë janë dakort se problemi i vërtetë paskan qenë spiunët. Por në fakt nuk është e vërtetë. Spiunët ishin vetëm një nga veglat e sistemit dhe për të thënë të gjithën, vegla e parafundit në mekanizmin e terrorit. Ndezja e qëllimshme e debatit për dosjen duket se mëton të imponojë idenë se përgjegjësinë për atë që ka ndodhur e kanë spiunët duke lënë në harresë gjithë pjesën tjetër të mekanizmit: ideologët e regjimit, prokurorët e regjimit, togat e pushkatimit, gardianët, sekretarët e partisë në bazë, pedagogët e universitetit dhe cilindo tjetër.

Supozojmë se spiuni XY paska spiunuar dikë duke e marrë në qafë dhe duke e çuar në burg. A mund ta konsiderojmë rolin e tij më të rrezikshëm apo fatal sesa rolin e një indoktrinuesi të zellshëm (apo të detyruar) që shplan trurin e të rinjve, punëtorëve apo fshatarëve me mësimet e Partisë. A është më e dëmshme ta cosh dikë në burg përmes spiunimit, apo ta konvertosh në Njeriun e Ri që sidoqoftë do të marrë në qafë kë të mundë.

Nga ana tjetër, ai që hedh në shesh debatin për dosjen mëton automatikisht rolin e një gjykatësi të vendosur mbi palët, mbi historinë dhe natyrisht edhe mbi vetë përgjegjësinë për të shkuarën.

Kjo nuk është një apologji apo dekontruktim i përgjegjësisë. Nuk është ky qëllimi i shkrimit. Duke shndërruar krahasimin e Kajsiut, do të thoja se nuk është fjala thjesht për djegien e shtrigave nga nevoja për të formësuar një kohezion të virtytshmish apo për arsye të tjera rituale kolektive, por për të rishkruar historinë e shtrigave duke caktuar profilin e tyre. Ajo që ne shohim janë shtrigat, ndërsa ajo që nuk shohim janë gjykatësit e vetëemëruar të shtrigave. Dhe një veprim të tillë nuk e nis apo bitis shoqëria, por elitat ... ashtu si i kemi.

Nga ana tjetër personalisht nuk besoj se kemi të bëjmë me ndonjë nevojë psikologjike të brendshme të shoqërisë për shëlbim me koka turku. Përkundrazi, besoj se shumica e njerëzve e kanë arkivuar me kohë çështjen e përgjegjësive të komunizmit, qoftë sepse nuk i motivon shumë në atmosferën e halleve të përditshme, qoftë sepse kanë luajtur një rol për të cilin nuk kanë dëshirë të flasin.

Si shpjegohet që debati për dosjet nuk është konkretizuar kurrë me hapjen e tyre? Besoj se kjo nuk ka qenë ndonjëherë e nevojshme. Nëse është e saktë, siç shpjegova më lart, se synimi i vërtetë është rishkrimi i historisë dhe fokusimi i negativitetit tek disa personazhe për të shplarë të tjerët, atëherë është e kuptueshme se hapja në fakt nuk ka qenë asnjëherë e nevojshme. Madje do të kishte qenë e pavlefshme, sepse do të kishte eliminuar një mënyrë të mirë për të ndërtuar një histori të re të komunizmit. Dhe ja ku vijmë përsëri te precedenti interesant i rishkrimit të historisë nga elitat. Në thelb debati për mozaikun e muzeut kombëtar, për rishkrimin e kapitullit të pavarësisë apo për rishikimin e çdo elementi tjetër nuk ndryshon aspak në qëllimshmëri nga debati për hapjen e dosjeve. Këto debate përkufizojnë një tablo të ngurtë të çështjes së përgjegjësive në komunizëm, duke caktuar kush janë përgjegjësit, kush janë shtrigat, ku duhen kërkuar dhe eventualisht si duhen ndëshkuar. Me koston e gëlltitjes të një historiografie politike të rishkruar jo për të na ndriçuar për të shkuarën, por pikërisht për të na bërë ta shohim atë siç duan rishkruesit. Nëse e pranojmë këtë nuk do të thotë se anashkalojmë çështjen e përgjegjësive, por thjesht tregohemi të ndershëm me kufinjtë e gjykimit tonë; sidomos ata kufinj që na i vendosin rishkruesit e zellshëm.

 
 

Universiteti Europian i Tiranës