| OSBE- Debati që fsheh fajësinë |
|
|
|
| Written by Ermal Hasimja |
| Tuesday, 23 June 2009 14:16 |
|
Ekziston një aspekt interesant i akuzave politike mbi statusin e OSBE-së që duket sikur kalon pa u vënë re fare. Në fakt nuk është thjesht një hollësi, por një element që prodhon një debat të devijuar dhe të tjetërsuar dhe në të njëjtën kohë një debat fajësie. Asnjëra nga palët e përfshira, vendorë apo ndërkombëtarë, nuk po debaton mbi çështjen e a duhet ndryshuar apo jo mandati i OSBE-së, por drejtpërdrejt mbi çështjen nëse kërkesa për ndryshimin e mandatit është bërë apo jo. Thënë ndryshe: a është konsumuar “krimi” i kërkimit të ndryshimit të mandatit? Po përdor këtë fjalë me peshë dramatike, sepse pikërisht këtë nënkupton debati, qoftë nga ata që mbrojnë me dokumente hipotezën se ndryshimi i mandatit është kërkuar nga qeveria, qoftë ata të tjerët, që përsëri me dokumente, synojnë të vërtetojnë se kjo nuk ka ndodhur, madje nuk ka qenë ndonjëherë qëllim i qeverisë. Por a përbën vërtet një “krim” politik ideja e ndryshimit të mandatit? Të shohim fillimisht argumentet. Nga pikëpamja utilitare, prania e OSBE-së do të mund të përligjej haptazi me faktin se elita politike në Shqipëri është, me pak ndryshime, e njëjta me atë që ka prodhuar deri tani zgjedhje problematike, ose përtej eufemizmit, zgjedhje të vjedhura, të përgjithshme ose vendore. Prania e OSBE-së do të ishte e nevojshme për të prodhuar artificialisht legjitimitetin e qeverisjes së dalë prej zgjedhjeve, në kushtet kur votuesit shqiptar, sipas sondazheve u besojnë shumë më tepër ndërkombëtarëve sesa partive politike shqiptare. Mirëpo një rol i tillë i OSBE-së apo organizatave të tjera certifikuese të legjitimitetit të qeverisjes ka edhe efekte negative. Një fëmijë i mbajtur prej dore e ka të vështirë të mësojë të ecë nëse nuk e lëshon në një çast, qoftë edhe me koston e rrëzimit dhe ringritjes. Duhet të shtojmë faktin se korrektësia e zgjedhjeve dhe legjitimiteti i prodhuar nuk është vetëm çështje numrash, por edhe ceshtje perceptimi. Sa më i madh të jetë roli i ndërkombëtarëve dhe sidomos i OSBE-së, aq më pak besim do të kenë votuesit në elitat vendore. Ky është një qark i mbyllur që riprodhon mosbesim. Të kthehemi te devijimi i debatit. Në një vend normal debati do të duhet të zhvillohej pa ndjenjën e fajësisë që shfaqi këto ditë qeveria dhe që u përpoq me sukses të krijonin kundërshtarët e saj. Është çështje tjetër nëse qeveria meriton apo jo besim. Por shpalosja e ndjenjës së fajësisë përmes përpjekjeve të zhurmshme mohuese për kërkesën e reduktimit të mandatit, tregon se as vetë qeveria nuk është e gatshme të heqë dorë nga skema artificiale e një certifikimi 100% të huaj. Në fakt, argumentet nuk do të mungonin për një reduktim të rolit. Së pari, siç thuhet edhe në letrën e z.Basha të botuar në shtyp Shqipëria ka bërë progrese që mund të përligjin një ndryshim të statutit. Pavarësisht termit të përdorur (fokusim), nuk ka përse të mos flitet qartazi për rishikim të plotë të mandatit. Patronazhi i OSBE-së dhe i organizatave të tjera ndaj zgjedhjeve përveç efekteve garantuese të lartpërmendura, prodhon edhe efektin e kundërt të krijimit të idesë së mundësisë së vjedhjes së zgjedhjeve. Zakonisht policët patrullojnë në zonat me kriminalitet dhe kamerat monitoruese vendosen aty ku ka vjedhje potenciale. Nga ana tjetër, ndoshta do të ishte e nevojshme që Shqipëria të mësohej të organizonte zgjedhje të lira e të drejta pa policim ndërkombëtar mbi kutitë e votimit. Gjithashtu, me apo pa patronazhin e OSBE-së, çdo përpjekje për manipulim do të merrej vesh dhe njëkohësisht do të tërhiqte pasojat përkatëse nga instancat ndërkombëtare me të cilat kemi lidhur fatin. Sidoqoftë debati mbi nevojën apo jo të rolit klasik të OSBE-së nuk është i lehtë për t’u zgjidhur. Ai mund të vazhdojë pafundësisht. Aspekti domethënës është pikërisht se ky debat shmanget duke u devijuar në një debat teatral që bie era fajësi dhe mosbesim. Kompleksi i fajësisë vjen kolektivisht nga përgjegjësia për zgjedhjet e zhvilluara në vitet e tranzicionit. Ndërsa kompleksi i mosbesimit vjen nga konstatimi, plotësisht i saktë, se votuesit (një pjesë e mirë të paktën) nuk do të besojnë një rezultat zgjedhor pa vulën e OSBE-së dhe të të tjerëve si ajo. Që të dyja janë drejtpërdrejt dëshmi të qarta të paaftësisë së elitës politike shqiptare për të ndërtuar vetë dhe bindshëm legjitimitetin e saj, p.sh. duke realizuar zgjedhje të lira e të drejta. Dhe më e keqja se e gjithë kjo funksionon si në një rreth vicioz. |





