| Apologji e tregtarit “abuzues” |
|
|
|
| Written by Ermal Hasimja |
| Tuesday, 23 June 2009 14:17 |
|
Që ka një frymë prej Robin Hudi në hapësirën publike shqiptare, kjo dihet dhe nuk përbën risi. Por kundërshtia që krijon kjo frymë me disa nga parimet bazë të ekonomisë së tregut është realisht një problem. Të frymëzuar pikërisht prej kësaj fryme mund të dëgjosh jorrallë gazetarë që sulmojnë “tregtarët abuzues” të cilët paskan rritur cmimet gjatë një pragfeste, ose që nuk i ulin cmimet e karburantit edhe pse cmimi i naftës për fuçi ka pësuar rënie ne bursat botërore. Këto pohime kanë deri diku edhe shijen e zbulimit, njësoj sikur të ishte një krim i zbuluar gazetarisht. Por ku është krimi këtu? Tregtarët i rriskan cmimet menjëherë sapo rritet nafta në bursë dhe nuk i ulin për qamet kur ajo zbret. Shkurt: tregtarët shesin me cmimin që duan ata dhe jo me cmimin që duam ne. Ky është krimi? Fatkeqësisht, në kapitalizëm ky nuk është krim, pavarësisht se ka vende me traditë të majtë, ku aktorë të caktuar socialë përpiqen ta paraqesin të paktën si spekulim. Së pari, ky lloj gjykimi tregon se parimi i ndarjes së komentit nga informacioni, për aq sa është i mundur, nuk vlen dhe aq shumë në Shqipëri. Të flasësh për “tregtarë abuzues” nuk është lajm apo informacion, por gjyq publik. Presupozohet se ka abuzim dhe se abuzimi lidhet me caktimin e një cmimi që paraqitet si i padrejtë, për të zgjedhur një term të butë. Një term që na çon tek e kundërta e tij, te cmimi “i drejtë”, pra një cmim i vendosur mbi bazën e ndonjë parimi që nuk ëshë parimi i fitimit të tregtarit. E thënë ndryshe tregtari është i lirë të punojë, por jo të fitojë aq sa do ai, por “me karar”. E thënë pak më hapur, individi nuk duhet të gëzojë të drejtën e hyrjes në marrëdhënie kontraktuale me blerësin sipas qejfit të tij, por sipas ndonjë parimi që nuk është “abuzues”. Por cili është kriteri për të përcaktuar se cilat cmime përbëjnë abuzim dhe cilat jo? Mos vallë gazetari? Apo aq më keq shteti? Është interesante se mund të dëgjosh të njëjtën media të sulmojë qeverinë për ndërhyrje te biznesi apo pengim të lirisë së tregut dhe nga ana tjetër të sulmojë qeverinë saktësisht për të kundërtën, domethënë se po e le tregun të lirë. Një Robin Hud laissez-faire-ist: ja shpikja shqiptare. Dikush mund të thotë se ky paradoks zgjidhet me argumentin se liria e tregut është cështje mase. Epo nuk është cështje mase, por cështje parimi. O je i lirë për të fituar, o nuk je! Sidoqoftë taksat i paguan në të dy rastet. Nuk mund të jesh edhe shtatzanë, edhe e virgjër. Dhe nëse je i lirë për të fituar sa dëshiron ti, atëherë për cfarë arsye misterioze duhet të merresh me biznes? Pse të mos gjesh ndonjë punë të rehatshme shteti? Gazetari i ndjeshëm shoqërisht që sulmon shtetin për pasivitet ndaj tregtarëve abuzues mund të bindet nesër se edhe cmimet e apartamenteve, të makinave, të akulloreve, të bukës po se po, të rrobave dhe cdo cmim tjetër është abuzues, prandaj o burra ta yshtim shtetin të caktojë cmime “joabuzive”. Pastaj, meqenëse këta tregtarët abuzues nuk do të pranojnë të tregtojnë me cmime të tilla, shteti mund të merrej edhe me prodhimin! Ups, se ku e kemi dëgjuar këtë përrallë!!! Gazetarët e ndjeshëm, do të ishte mirë që të fokusoheshin në një tjetër problem me natyrë robinhudiane, por kësaj rradhe në kah të kundërt dhe jo kundërshtuese në vetvete. Qeveria mburret se ka mbledhur qindra miliona euro më tepër nga biznesi dhe pastaj i mban në bankë. Ja pse nuk duhet t’i besojmë Robin Hudit, qoftë në qeveri, qoftë në media. Këtë vend nuk e kanë zhvilluar qeveritë, por biznesmenët. Dhe jo cilëtdo biznesmenë, por ata që kanë fituar shumë para. Prandaj, nëse duhet që mediat të ushtrojnë presion për të mirën e vendit, nuk duhet ta ushtrojnë mbi “tregtarët abuzues” që fitojnë shumë para, por mbi tregtarët “e ndershëm” që nuk fitojnë fare ose fitojnë shumë pak. Si t’ia bëjmë që edhe këta të fitojnë sa më shumë? Ndoshta duhet të mos duartrokasim qeverinë kur na mburret se i ka rrjepur mirë me taksa. Në fund; sa herë dëgjoj këtë shprehjen “tregtarë abuzues”, më kujtohet pashmangshmërisht një film i Kinostudios me kulakë që “spekulonin” me cmimin e grurit. Ndoshta kanë pak lidhje si shpjegime me njëri-tjetrin. |





