| Hipokrizia e kryqëzatës feministe |
|
|
|
| Written by Ermal Hasimja |
| Tuesday, 23 June 2009 14:19 |
|
Zakonisht ethet feministe në Shqipëri zhvillohen me dy kohë. Në mes të mandateve qeverisëse ato zhvillohen kryesisht nga OJQ-të, ndërsa me afrimin e fushatave zgjedhore merren në dorë nga partitë. Në pragfushate gratë dhe OJQ-të zbulojnë sa të interesuara paskan qenë partitë për gratë. Dyshimi im për sinqeritetin e tyre nis që nga ky fakt i thjeshtë. Argumentet e sotme për diskriminimin pozitiv ndaj gruas dhe zbatimin e kuotave mbështeten në konstatimin e diskriminimit real. Këta argumentë kanë problemet e veta që vijnë kryesisht nga sipërfaësia e trajtimit të debateve bashkëkohore në Shqipëri dhe nga logjika “është mirë se kështu e ka edhe Suedia”. Sidoqoftë këtu nuk do të merrem me këtë çështje. Mund t’ia nisim me një pyetje të thjeshtë: nëse partitë politike janë vërtet të shqetësuara për diskriminimin në gjirin e shoqërisë sonë, përse e kufizojnë vëmendjen e tyre vetëm te gratë? Përse nuk merren, për shembull edhe me romët, ballkano-egjiptianët, homoseksualët, etj? A është një rom që banon te Bregu i Lumit më pak i diskriminuar sesa një grua jorome? A është më e rëndësishme dhe urgjente të mundësojmë një rol më të madh të gruas në kuvend apo të mundësojmë të drejtën themelore për arsim të fëmijëve romë? Dikush mund të thotë se nuk ka nevojë të vendoset klasifikim përjashtues mes të dyjave, por fatkeqësisht unë konstatoj se pikërisht kjo po ndodh. Shpenzohet energji (me të drejtë) për çështjen e grave, edhe pse me metoda të diskutueshme, por përjashtohen nga debatet dhe investimet mbarëshoqërore kategori të tjera shumë herë e më keq të diskriminuara. Cilat janë arsyet e kësaj hipokrizie dhe diskriminimi mes të diskriminuarve? Së pari, sepse gratë janë shumë. Ose më saktë janë shumë votuese. Gjë që paraqet interes për partitë. Së dyti sepse sondazhet na tregojnë (neve, por edhe partive politike) se gratë janë një nga kategoritë që abstenojnë më tepër, gjë që do të thotë se në kushte ekulibri të përgjithshëm, vota e tyre është vendimtare për fitoren në zgjedhje. Së treti, sepse, le ta themi hapur, shoqëria jonë është raciste dhe homofobe. Kjo bën që t’u jepet përparësi grave në raport me kategori të tjera si romët, ballkano-egjiptianët, homoseksualët, etj. Berisha apo Rama e dinë se është në modë sot të “promovosh” gra në qeveri, kuvend apo forume partiake, por asnjeri prej tyre nuk do të kishte guximin të promovonte një rom, egjiptian apo homoseksual duke parashikuar një reagim aspak pozitiv të votuesve. Nga kjo pikëpamje, është e lehtë t’i përgëzosh për fjalime dhe qëndrime feministe, por vështirë se i lavdëron dot për qëndrime pararojë anti-raciste dhe anti-homofobe. Ajo që ata e gjejnë më të lehtë për të bërë është të mbyllin gojën për këto çështje ose të përgatisin ndonjë strategji sa për të larë gojën. Të paktën me romët lahet goja një herë në vit me ndonjë strategji që mban edhe ajo vetë era racizëm. Fakti që romët dhe ballkano-egjiptianët nuk janë objekt serioz i fushatave zgjedhore është jashtëzakonisht i rëndë, sepse nënkupton se ata nuk konsideron si pjesë e trupit politik shqiptar. Racizmi ynë shkon deri aty sa nuk e tejkalon dot as pragun e nevojës për të marrë vota. Së katërti, trysnia nga shoqëria civile ushtrohet kryesisht në lidhje me diskriminimin femëror. Nuk është e vështirë në fakt të gjesh elementë racizmi dashamirës edhe në vetë projektet apo strategjitë e shoqërisë civile. Në një të tillë të paraqitur në vitin 2005, shpalosej një kritikë e racizmit...me gjuhë raciste. Sipas saj, shteti nuk kishte bërë asgjë për t’i larguar romët nga “zakonet e prapambetura”, nga “fanatizmi”, “veshjet e çuditshme” ... shkurt pra, nuk kishte bërë asgjë për t’i bërë romët si “ne” të “tjerët”. Por të luftosh diskriminimin nuk do të thotë të uniformizosh shoqërinë apo të asimilosh kategori të tëra. Ky lloj racizmi dashamirës është aq efikas sa fatkeqësisht edhe shumë pjesëtarë të këtyre komuniteteve sot ankohen jo për diskriminimin në vetvete, por për paaftësinë e shtetit për t’i bërë si “të tjerët”. Nëse pararoja jonë në angazhimin qytetar funksionon kështu, nuk e di ç’duhet të presim nga shoqëria në tërësi. Së pesti, diskriminimi mes të diskriminuarve vjen edhe nga paaftësia e vetë kategorive të tjera për të bërë publikë problemet dhe pikëpamjet e tyre. Shoqatat rome dhe ballkano-egjiptiane janë në gjendje lufte konstante në gjirin e secilit komunitet, ndërsa për homoseksualët vetë ideja e shoqatës të çon ose në ilegalitet ose ne barcaleta. Prej 3 vitesh Universiteti Evropian i Tiranës ka dhënë 15 bursa studimi për studentë romë dhe ballkano-egjiptianë që me ndonjë përjashtim të rrallë, ishin të përjashtuar nga çfarëdo vëmendje e universiteteve publike që për hir të natyrës së tyre duhet të ishin në ballë të kësaj sfide. Si për ironi të këtij shkrimi, shumica e tyre janë femra. Vajza të talentuara dhe me ambicie për të cilat një pedagog apo universitet mund të jetë krenar. Së gjashti, është më lehtë të gjesh zgjidhje të shpejta si në rastin e caktimit të kuotave për gratë në politikë. Por është më vështirë të luftosh diskriminimin me fushata afatgjatë shumë-vjeçare. Aq më tepër kur jo të gjithë betejat kundër diskriminimit kanë të njëjtin popullaritet publik. Teksa ngazëllen shumë prej nesh me joshjen e efekteve magjike numerike, kryqëzata feministe aktuale paradoksalisht është diskriminuese, edhe pa fajin e saj. Me mbizotërimin e vëmendjes dhe energjisë publike (plotësisht e merituar në vetvete) ajo fsheh racizmin tonë kolektiv që në këtë rast as që na bie në sy. Jemi aq racistë, sa racizmi as nuk na bie në sy. Anti-diskriminimi në Shqipëri është një sport që konsumohet me moderacion ... dhe me diskriminim. |





