KUOTAT DHE PARLAMENTI PASQYRE PDF Print E-mail
Written by Ermal Hasimja   
Tuesday, 23 June 2009 14:20
Ermal Hasimja


Banorët e një qyteti rrëzoheshin shpesh në një gropë ndërtimi në periferi të qytetit dhe vdisnin sepse spitali ishte shumë larg. Të mbledhur nga kryetari i bashkisë, atyre iu kërkuan ide për zgjidhje. Njëri propozoi ndërtimin e një spitali më pranë gropës, por ideja u hodh poshtë sepse duheshin shumë para. Atëherë, dikush më “i zgjuar” u çua dhe tha: “Ta bëjmë gropën më pranë spitalit”. Kjo barcaleta mund të ilustrojë vullnetin për të gjetur zgjidhje afatshkurtra për të shmangur ato afatgjata dhe përfundimtare.

Njëzëshmëria e pranimit të kuotave që garantojnë përfaqësimin e femrave në kuvend konfirmon ngadhënjimin e ligjërimit të OJQ-ve mbi argumentet teorike apo edhe politike. Në këtë shkrim do të merrem me nja dy nga këta argumente kryesorë për përligjien e kuotave. Së pari atë për nevojën e përfaqësimit femëror në kuvend. Argumenti mbështetet në konstatimin e drejtë se femrat përbëjnë 50% të popullsisë, por jo më shumë se 10% të kuvendit. Kësaj i shtohet edhe konstatimi tjetër po aq i saktë se femrat diskriminohen gjerësisht në shoqëri gjë që i pengon të veprojnë politikisht. Mirëpo ajo që harrohet këtu është natyra e përfaqësimit. Çfarë funksioni ka parlamenti? A mund të jetë një kompensues i diskriminimit në shoqëri?A mund të jetë ai një pasqyrë demografike e shoqërisë? Ata dhe ato që mbrojnë sot kuotat mendojnë se po. Por ama jo çfarëdo pasqyre, por një pasqyrë që të pasqyrë në këtë rast vetëm ndarjet femër-mashkull dhe asnjë ndarje tjetër, duke lënë jashtë gjithë shtresëzimet e tjera. Diskriminim brenda anti-diskriminimit! Për të qenë të drejtë dhe konsekuentë me idenë e tyre do të duhet që në kuvend të pasqyrohej çdo shtresë apo kategori, madje ato të diskriminuara me përparësi. Kështu p.sh. kuvendi shqiptar do të duhet të ishte i përbërë 50% nga kandidatë fshatarë dhe 50% qytetarë, 65% banorë të Shqipërisë dhe 35% emigrantë, 15% nga shtresat e mesme, nja 5% nga të pasurit dhe kusuri nga të varfërit, etj, etj duke vazhduar me rradhë me kritere si arsimimi, gjeografia, mosha, ose jo edhe inteligjenca, prirjet seksuale, besimet fetare, ngjyra e lëkurës, “morali i shëndoshë”, etj. E bëjmë dot? Nuk besoj. Kjo konsekuencë na ndihmon të kuptojmë pikën e dobët të argumentit që e përligj kuotën mbi idenë e parlamentit-pasqyrë. Jo vetëm që është e pamundur, por është edhe e padrejtë. Këtu secilin prej nesh duhet ta kapte një shqetësim i natyrshëm: a duhet të përfaqësohem si 33 vjeçar, si shtresë e mesme, si qytetar, si tiranas, si mashkull, si i “bardhë” apo çfarë tjetër?

Mbrojtësit e kuotave thonë se të gjithë kategoritë e tjera të diskriminuara përfshihen tek ndarja mashkull femër. Por a merr parasysh kjo vullnetin e votuesit? A duhet përfaqësuar një grua rome e diskriminuar dyfish, si rome apo si grua? Pse ne kemi të drejtë të vendosim pa e pyetur atë nëse zgjedh njërën apo tjetrën? Ndoshta një grua rome do të zgjidhte të përfaqësohej më mirë nga një burrë rom sesa nga një grua jo-rome.

Ata që mbrojnë një tezë të tillë harrojnë që parlamenti nuk ka për funksion të pasqyrojë shoqërinë demokrafikisht, por të pasqyrojë vullnetin e qytetarëve për të mbështetur një projekt politik apo një tjetër. Parlamenti nuk është institucion demografik statistikash, por organ vendimarjeje politike. Theksi këtu është te vullneti i votuesit, jo te natyra e tij njerëzore. Aq më tepër që përkufizimi i kësaj natyre nga jashtë mund të mos përputhet fare me përkufizimin e kësaj natyre nga vetë individi. Çdo përpjekje për ta deformuar përfaqësimin në mënyrë të tillë e bën atë artificial. Ne nuk mund ta dimë në asnjë çast nëse një votues i zakonshëm (si unë, p.sh.) dëshiron të përfaqësohet në një mënyrë a një tjetër, në një aspekt të identitetit të tij apo në një tjetër. Ne nuk do ta dimë asnjëherë nëse votuesit shqiptarë do të duan të përfaqësohen nga femra apo meshkuj, nëse nuk u lemë mundësinë t’i zgjedhin vetë.

Natyrisht ka plot teoricienë dhe politologë sot që mbrojnë përfaqësimin përshkrues që unë këtu e quajta përfaqësim pasqyrë. Argumenti kryesor është se askush nuk e përfaqëson me mirë një grua sesa një grua tjetër, askush nuk e përfaqëson më mirë një antar pakice sesa një antar tjetër pakice. Por ky argument nuk qëndron. Nëse do të qëndronte, çdo grua që do të kandidonte do të duhet të fitonte sepse do të kishte automatikisht votat e gjysmës së elektoratit. Në fakt nuk i ka, sepse kur votojnë votuesit femra nuk synojnë përfaqësimin pasqyrë, por përfaqësimin e mënyrës sesi e shikojnë veten dhe interesat e tyre. Nga ana tjetër femrat e zgjedhura në kuvendin tonë kanë marrë edhe votat meshkujsh. Përmes zbatimit të kuotave ne kufizojmë ndjeshëm të drejtën e votuesve për të votuar për atë që duan. Për më tepër që ky kufizim zbatohet brenda institucioneve vullnetare të lira siç janë partitë. Me këtë që po them nuk po mohoj diskriminimin ndaj femrave, por po përpiqem të tregoj sesi lufta ndaj këtij diskriminimi po bëhet përmes diskriminimit të një lloji tjetër.

Ka edhe diçka që nuk thuhet në këtë historinë e kuotave. Jo rastësisht mbrojtësit e tyre më të flaktë janë aktivistë të shoqërisë civile. OJQ-të dhe OJF-të e sotme, të varura nga fondet e donatorëve kryesisht të huaj, janë të prirur të angazhohen në projekte afatshkurtra që kërkojnë rezultate të shpejta dhe të matshme. Lufta e vërtetë kundër diskriminimit të femrave, ajo që bëhet duke luftuar mendësinë diskriminuese nuk është aq joshëse për shoqërinë civile, sepse as nuk është afatshkurtër, as nuk garanton rezultate të matshme dhe të shpejta. E keqja e zbatimit të kuotave, përveç inkoherencës logjike dhe politike, është pikërisht se krijon iluzionin se problemi i femrave u zgjidh, duke lënë në hije rrënjët e vërteta të problemit që qëndrojnë te familja, shkolla dhe shoqëria. Fakti që diskriminimi i femrave nuk zgjidhet me projekte afatshkurtër nuk mund të na bëjë të heqim dorë prej projekteve afatgjatë. Dhe fakti që duhen angazhime serioze afatgjata nuk duhet të na detyrojë të shpikim “zgjidhje” afatshkurtra. Kështu kuotat janë më tepër një shashkë që fsheh bazën e vërtetë të diskriminimit, sesa zgjidhje reale për problemin.
 

Universiteti Europian i Tiranës