Miti shqiptar i rinisë PDF Print E-mail
Written by Ermal Hasimja   
Tuesday, 23 June 2009 14:21

Në fakt mund të flitej për mitet shqiptare për rininë. Sepse janë disa.

Së pari vetë nevoja për një mit të rinisë. Të thuash sot se të rinjtë do ta ndryshojnë Shqipërinë ka dy kuptime. Ose është konstatim i panevojshëm i faktit të zëvendësimit biologjik të brezave. Ose është një perifrazim bosh i sloganeve të tipit “Përtej së majtës e së djathtës”. Kundërvënia “politikë e re, politikë e vjetër” shkon shumë mirë me kundërvënien “njerëz të rinj, njerëz të vjetër”. Njësoj si dualiteti i famshëm “politikë e re, politikë e vjetër”, edhe dualiteti “njerëz të rinj, njerëz të vjetër” zëvendëson natyrshëm zbrazëtinë e frikshme të ideve, parimeve dhe vlerave që mund të sjellin ndryshim. Ka të rinj që mendojnë si pleq, siç ka edhe pleq që mendojnë në rrugë të reja. Ndryshimin nuk e sjell automatikisht mosha, por diçka tjetër. Për shembull, rritja e pritshmërisë së qytetarëve ndaj elitave, aftësia e elitave për të ndryshuar gjërat në përputhje me pritshmëritë,etj. Nga kjo pikëpamje futja e thjeshtë e disa të rinjve në politikë nuk jep asnjë garanci për ndryshimin. Futja e të rinjve është e rëndësishme në kontekstin e përgjithshëm të funksionimit të politikës. Ajo merr vlerë sidoqoftë vetëm kur këta të rinj sjellin vërtet diçka të re përveç moshës. Jo thjesht ide, por vizion koherent. Jo thjesht energji, por ambicie me përmasa publike. Deri më sot, hiq rastin e të rinjve që përmbysën regjimin totalitar, të rinjtë shqiptarë përgjithësisht nuk kanë shkëlqyer. Përkundrazi janë përdorur me vullnetin e tyre nga elita aktuale për të ricikluar legjitimitetin e saj të rreckosur.

Dhe ja ku kemi ardhur te miti i dytë, ai i përdorimit apo keqpërdorimit të të rinjve nga elitat aktuale. Ky mit ndërtohet mbi idenë kundërthënëse se të rinjve qenkan të përdorshëm ose të manipulueshëm. Është kundërthënëse, sepse nga njëra anë konsiderohet se të rinjtë paskan një vullnet “ndryshe”, ndërsa nga ana tjetër u përdorkan. Përdorimi nuk është opsioni i vetëm. Ata që nuk duan të përdoren mund të ikin, të bëjnë revolucion, të bëjnë parti të vetat, etj. Asnjë i ri nuk përdoret apo manipulohet kundër vullnetit të tij. Nëse kjo ndodh atëherë folja “përdor” nuk ka më kuptim, sepse ndërkohë ai është bërë pjesë e sistemit.

Së treti dhe pak më në periferi, miti i një rinie idealiste që kthehet (ose duhet të kthehet) nga Perëndimi për të ndryshuar vendin. Nuk di sot për sot ndonjë teori që do të përligjte angazhimin e një njeriu në politikë, qoftë edhe të riu, mbi një bazë tjetër përveçse egoiste, në kuptimin e vetëpohimit të një imazhi të caktuar një njeriu ka për veten. Nëse termi “egoist” nuk tingëllon i përshtatshëm, ky është kryesisht faji i paragjykimeve tona puritaniste dhe naive, jo i atyre që e kuptojnë funksionimin e shpirtit njerëzor. Një qenie njerëzore e braktis një situatë pozitive vetëm për të gjetur një tjetër akoma më pozitive. Ata që “braktisin” “jetën e lumtur në Perëndim” për të vuajtur për ndryshimin e atdheut, motivohen nga ambicie personale, të cilat janë njerëzore, të pashmangshme dhe plotësisht të pranueshme dhe legjitime. Unë personalisht nuk u besoj atyre që thonë se lenë Perëndimin e rehatshëm për të ndryshuar kalvarin shqiptar. Jo sepse më duken naive. Por sepse presupozojnë që unë apo publiku jemi aq naivë sa t’i besojmë. Ambiciet nuk janë gjë e keqe. Janë pozitive. Shumë pozitive dhe të dobishme publikisht kur nuk janë ambicie abuzimi me shtetin dhe ligjin. I tillë është programuar njeriu. Është ambicia individuale që është baza politike e ndryshimit, jo pretendimet altruiste e idealiste që janë të pambrojtshme sidoqoftë. Individi i paraprin kontratës shoqërore, jo anasjelltar. Ky mit i të riut altruist e idealist është në fakt një pasqyrim i mitit klasik të politikanit altruist; të pagjendur e të pagjendshëm. Megjithatë rrëzimi i mitit nuk nënkupton humbjen e vlerës së angazhimit të të rinjve dhe as nuk e sulmon mundësinë e ndryshimit përmes të rinjve. Thjesht e bën më të kthjellët. Është plotësisht e respektueshme që një i ri i angazhuar politikisht të synojë (me vetëdije apo jo) të përmbushë egon e tij personale përmes ndryshimit politik kolektiv. Ajo që dallon politikisht egon e pranueshme nga ajo e papranueshme është konfirmimi që e para i bën vetes përmes veprimit me përmasa publike, përmes ndryshimit pozitiv në jetën e shoqërisë.

Së treti, miti i të rinjve që bartin vlera të reja morale: p.sh. ndershmërinë apo pastërtinë. Ky është një nga mitet më të diskutueshme. Ne kemi arsye të mendojnë se prindërit e viteve 1940-1950 i kanë edukuar shumë më mirë moralisht fëmijët e tyre, sepse prindërit e viteve 1990-2000, të cilët (po ia lemë përgjegjësinë diktaturës) ishin pre e përpjekjeve për shndërrimin në Njeriun e Ri. Pra mund të besojmë se parime ose vlera si ndershmëria kanë qenë relativisht më të forta te 20-30 vjecarët e viteve 70 se tek ata të sotmit. Nuk e them këtë për të hedhur poshtë kategorikisht vlerat e të rinjve të sotëm, por thjesht për të vënë në dyshim mitin e të riut të pastër.

Miti i të riut revolucionar është një tjetër mit, por që gjendet kryesisht në trajtën e tij kritike. Të rinjtë akuzohen se nuk janë aq revolucionarë sa duhet, pra si rrjedhim nuk janë “të rinj” politikisht. Këtu presupozohet se revolucioni është e vetmja formë e ndryshimit, ose akoma më konkretisht merret ndonjë shembull i tipit të revoltave të vitit 68 në Francë. Në fakt revolucioni nuk është e vetmja formë e ndryshimit dhe aq më pak më e mira, hiq raste të skajshme. Por në rastet kur shoqëria ka rënë pak a shumë dakort për formën e vet të qeverisjes dhe për institucionalizmin e disa parimeve e vlerave, revolucioni jo vetëm nuk është i nevojshëm, por mund të shërbejë edhe si djep autoritarizmi apo edhe totalitarizmi. Nuk mund të thuhet se shoqëria shqiptare, sa për një shembull konkret, pret prej të rinjve të saj hedhjen poshtë të vlerave mbizotëruese (diskutim tjetër si imponohen këto vlera), përkundrazi duket se pret më tepër respektimin e disa vlerave ekzistuese ose të paktën të shpallura si vlera themelore politike.

Për të mos e prishur shkrimin që në zanafillë, e lashë analizën e konceptit të rinisë në fund. Pyetje dramatike si ajo e famshmja “A ka të rinj Shqipëria” ose “Ku është rinia shqiptare” presupozojnë se rinia shqiptare është një entitet i mirëpërcaktuar me disa cilësi të qarta, madje pse jo edhe me ndonjë nivel ndërgjegjësimi për identitetin që mendohet se bart. Të gjithë e dimë se kjo nuk është e vërtetë. Vështirë se një i papunë 20 vjeçar në malësitë e veriut apo të jugut ndan të njëjtin identitet (e aq më pak ndërgjegjësim përkatësie) me 20 vjeçarët e Bllokut në Tiranë. Çfarë të thuash pastaj për 1 milion dallimet reale, potenciale ose në proces mes të rinjve? Akoma më tej, kur flitet për “rininë” në horizontin dëshirues të një “rinie” në politikë, shumë prej nesh nënkuptojnë Erjon Veliajn ose Gerti Bogdanin, jo 1 milion shqiptarët anonimë mes moshës 20-30 vjeçare.

Përdorimi i mitologjisë rinore fatkeqësisht duket sikur më tepër synon të fshehë ose eklipsojë nevojën e madhe, jo për ndryshimet në njerëz, por për ndryshimet në qëndrimet që duhen mbajtur ndaj parimeve e vlerave që synojmë. Fatkeqësisht për “rininë mitologjike” kjo bëhet me programe. Mosha nuk garanton asgjë. Madje sa më tepër vihet në dukje ndryshimi i moshës, aq më tepër duhet të dyshojmë për mosndryshimin e thelbit. Nganjëherë është e vërtetë thënia franceze që më kujtoi një mik dje: “Plus ça change, plus c’est pareil” (sa më shumë ndryshon, aq më shumë është njësoj).

 
 

Universiteti Europian i Tiranës