Shkenca politike ne disiplinat tjera PDF Print E-mail
Written by Ermal Hasimja   
Wednesday, 24 June 2009 08:26
Dr. Ermal Hasimja
The cross-cutting character of political science.
November 2007.
 
Organized by the Center for Public Policies, Political Science and Law in coperation with the Universitarian Consortium.

 
 
Vështirësitë e krijimit të kurseve ndër-disiplinore.

Përcaktimi (ndoshta përputhja) e gjuhës së përdorur nga dy disiplina të ndryshme. Përcaktimi i koncepteve që mund të transferohen në mënyrë të kuptueshme nga shkenca politike në një disiplinë tjetër, pasqyron një problem më të gjerë: atë të vështirësisë (ose pamundësisë) së përgjithshme për të arritur në përkufizime universale, qoftë edhe vetëm brenda shkencës politike. Në shumicën e rasteve përkufizimi i një objekti të njëjtë studimi bëhet ndryshe në shkencat politike dhe në disiplinën kryesore.
Kufizimet e mundësisë së përgjithësimit të rezultateve të kërkimeve në kohë e hapësirë, kontekste e grupe të ndryshëm.
Përshtatja e metodave të kërkimit të ardhura nga dy disiplina të ndryshme. Kështu p.sh. studentët e psikologjisë, të mësuar me studime laboratorike që synojnë veçimin e ndryshorëve të caktuar, mund të mos binden dhe aq shumë nga metodat “spekulative” të shkencave politike.
Rreziku i krijimit të kurseve ndër-disiplinore thjesht për shkak të kërkesave formale ligjore.
Mungesa e stafit të specializuar. Pjesa më e madhe e studentëve shqiptarë të shkolluar jashtë (kontingjenti kryesor prej nga vijnë pedagogët e ardhshëm) preferojnë drejtime më të përgjithshme. Mungojnë specializime si: psikologji politike, psikanalizë, komunikim politik, ekonomi politike, etj.
 
 
Nuk ka ndonjë zgjidhje magjike për asnjërin prej problemeve të mësipërme. Megjithatë ekziston një kusht optimal që mund të lehtësojë ndër-disiplinaritetin: hapja e horizontit epistemologjik dhe inkurajimi i studentëve për të marrë në konsideratë edhe pikëpamje ose metoda analitike të ndryshme nga ato me të cilat është mësuar në degën e tij. Kjo mbetet sidoqoftë detyrë kryesore e stafit pedagogjik të angazhuar në lëndët themelore të disiplinës pritëse.
Përparësia e shkencave politike në krahasim me fusha të tjera është fakti se vetë shkencat politike janë një disiplinë e ngjizur me elementë të shartuar nga disiplina të tjera.
 
 
Marrëdhëniet ndërkombëtare.
Në parim, marrëdhëniet ndërkombëtare janë fusha që kombinohen më lehtë me shkencat politike. Studentëve të marrëdhënieve ndërkombëtare do t’u nevojiteshin sidomos analizat e shkencave politike mbi sovranitetin, teoritë e vendimarrjes, filozofinë e së drejtës, teoritë e shtetit e pushtetit, analizat mbi të drejtën natyrore dhe atë pozitive, etj.
 
Public administration.
Shkencat politike do të ndihmonin më tepër në këtë fushë përmes elementëve të studimit që lidhen me teoritë e shtetit, sjelljet politike, teoritë e legjitimitetit, teoritë e vendimarrjes, komunikimin politik.
 
Studimet evropiane.
Studimet evropiane mund të konsiderohet në fakt një nën-degë e shkencave politike. Një student i kësaj fushe mund të përfitonte nga analizat konceptuale të shkencave politike në fushën e ndërtimit të institucioneve dhe të kuadrit ligjor të mbështetur në procese legjitimuese ndër-kombëtare, teoritë e nacionalizmit, teoritë e demokratizimit, etj.
 
 
Sociologjia politike.
Nga një pikëpamje e gjerë, çdo lloj sociologjie është politike. Megjithatë në një kuptim më të ngushtë teknik, analizat e shkencave politike mund të ndihmonin në drejtime të rëndësishme si roli i identiteteve në veprimin politik, teoritë e përfaqësimit, sjelljet elektorale dhe politike në përgjithësi, konfliktet sociale, etj.
 
 
Ekonomiku.
Shkencat politike mund të ishin shumë të dobishme për studentët e ekonomikut që synojnë të thellojnë njohuritë e tyre për bazën teorike të doktrinave të mëdha politike dhe lidhjes së tyre me doktrina ideologjike politike, si dhe analiza e ndarjeve të mëdha konceptuale në vlerat primare politike si liria apo barazia që përcaktojnë edhe angazhimin e qeverisjes në praktikat rishpërndarëse apo rregullatore në treg.
Gjithashtu do t’u vlente edhe analiza e rolit të faktorëve ekonomikë në konfliktet sociale apo ndërkombëtare.
 
 
Linguistika.
Elementët e shkencave politike mund të ndihmojnë studentët e gjuhësisë për t’u thelluar konkretisht në shqyrtimin e gjuhës dhe sidomos ligjërimit. Në fakt, aktualisht duket se shkëmbimi është i dyanshëm dhe ndoshta prej tij përfiton më tepër shkenca politike. Megjithatë, studentët e gjuhësisë do të përfitonin mjaft prej analizave bashkëkohore të krijimit të realitetit politik përmes ligjërimit, analizave të debateve politike si debate të ngritura mbi vullnetin e monopolizimit të gjuhës, apo qoftë edhe të teorive të ndërtimit të strukturave sunduese apo hegjemonike (në kuptimin gramshian) përmes përkufizimit të identiteteve apo të gjuhës “zyrtare”.

 

Universiteti Europian i Tiranës