| Politikja te historia: si të shkruajmë historinë me/pa gjuhë politike? |
|
|
|
| Written by Ermal Hasimja |
| Wednesday, 24 June 2009 08:39 |
|
Dr. Ermal Hasimja Tiranë, Maj 2009. Paraqitur në konferencën ndërkombëtare me temë : Politics and History, organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës. Politikja te historia: si të shkruajmë historinë me/pa gjuhë politike? Ky tekst do të trajtojë çështjen e nevojës së një historiografie objektive, pranë realitetit apo pranë së vërtetës. Le të shmangim që në fillim një keqkuptim. Së pari, nuk është fjala për të përcaktuar kriteret e një historiografie të tillë, por përkundrazi për të treguar sesi këto kritere janë të pamundur. Nuk është fjala për të argumentuar një version objektiv të historisë, madje as për të vërtetuar thjesht se asnjë version nuk mund të jetë objektiv, por për të treguar sesi çdo tekst historiografie është pashmangshmërisht politik. Do të përshkruaj këtu shkurtimisht disa nga tezat kryesore të autorëve që argumentojnë pamundësinë e një historiografie objektive. Nëse një mundësi e tillë është relativisht e pranuar sot në mjediset akademike, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për nivelet e tjera të përdorimit dhe diskutimit mbi historinë. Sidomos në nivelin e ligjërimit politik. Pastaj do të përpiqem të tregoj sesi gjuha e historiografisë nuk mund të mos jetë gjuhë politike, përkundër pretendimit se ajo mund jetë shkencore. T’ia nisim nga më e thjeshta. Argumentet që kritikojnë mundësinë e objektivitetit janë disa. Së pari përzgjedhja e atyre që historianët quajnë fakte, gjurmë, dokumente, etj. Kjo përzgjedhje nuk është e rastësishme, sic e tregon edhe Paul Ricoeur-i . Nga të gjithë gjurmët që le e shkuara, historianët natyrisht përzgjedhin dhe servirin vetëm disa prej tyre: ato që ata konsiderojnë si të rëndësishme dhe domethënëse. Pra, ndryshe nga iluzioni që mund të krijohet, ne, lexuesit e historisë, nuk përballemi as me të gjithë faktet e as me faktet që zgjedhim vetë, por me ata që na serviren. Nuk mjafton profesionalizmi i historianit e as bollëku i fakteve për të përligjur një “tablo të qartë të realitetit të kohës”. Ky realitet na vjen përmes përzgjedhjes dhe çdo përzgjedhje faktesh bëhet mbi bazën e kritereve që nuk i kanë caktuar as protagonistët e kohës, e as ne, konsumatorët e historiografisë. Edhe sikur kjo të ndodhte, përsëri nuk do të mund të flisnim për një histori objektive, sepse rolin e historianit këtu do ta merrnim vetë ne, gjithmonë në kuadër të një perceptimi subjektiv. Pra, pashmangshmëria e përzgjedhjes nuk lejon as një përshkrim objektiv e as një përshkrim të plotë, por vetëm një përshkrim detyrimisht subjektiv. Argumenti i parë i Ricoeur-it, jo vetëm i hap rrugën të dytit, por na ndihmon të kapim edhe natyrën politike të përzgjedhjes në fjalë. Subjektiviteti në përzgjedhjen e fakteve nuk është aq i pafajshëm sa duket. Një pjesë e historianëve kanë prirjen të pranojnë pamundësinë e objektivitetit, por këtë e bëjnë përmes një apologjie të historianit, duke presupozuar paralelisht se ai i afrohet gjithnjë e më tepër “realitetit”, ose të paktën udhëhiqet nga disa parime themelore që e dallojnë historiografinë nga ideologjia ose ligjërimi politik. Por a është kjo e mundur? Nuk besoj. Historiani nuk është i shkëputur nga konteksti në të cilin jeton, nga një pikëvështrim i caktuar mbi normat, vlerat dhe rolin e tij. Është pikërisht ky kontekst që paradoksalisht luan një rol të dyfishtë. Nga njëra anë bën të mundur përshkrimin e së shkuarës në një formë racionale, të lexueshme dhe të kuptueshme për lexuesin bashkëkohor. Mirëpo nga ana tjetër, përmes futjes së racionalitetit të tij si bazë e përzgjedhjes dhe e kuptimit, shkatërron cdo mundësi përshkrimi objektiv të së shkuarës. Konceptet bashkëkohore mbi racionalitetin dhe trysnia e mundësive të kuptimit të lexuesit e bëjnë të pashmangshëm projektimin e botëkuptimit aktual të historianit në “realitetin” e së shkuarës që përshkruhet. Historiografia shqiptare gjendet aktualisht përpara një boshllëku të madh shkaktuar pikërisht nga një dukuri e tillë e çuar në skaj: përshkrimi përzgjedhës i së shkuarës në funksion të një vizioni totalitar. Shumica dërrmuese e teksteve historiografike të shkruara gjatë komunizmit sot konsiderohen si të papërdorshme. Por përshkrimi i qëllimshëm që i bëri totalitarizmi së shkuarës nuk është dhe aq ndryshe në thelb nga cdo përshkrim tjetër historiografik. Në të vërtetë, edhe përshkrimi që i bëjmë ne sot këtij “manipulimi të historisë” nga ana e regjimit komunist nuk mund të mbetet imun ndaj vullneteve politike. Duke thënë se regjimi komunist e kishte shkruar keq historinë e Shqipërisë, në fakt ne presupozojmë mundësinë se sot mund ta shkruajmë saktë, jashtë vullnetit tonë për ta parë botën me syze aksiologjike, pra pavarësisht vlerave që kemi zgjedhur si përparësore. Së treti, vetë gjuha e historiografisë është një gjuhë politike. Unë e përdor këtu termin “politik” në një kuptim relativisht të hapur. Konsideroj si politik një pikëvështrim që ngrihet mbi një konsensus ose një kuptim të pranuar gjerësisht të një dukurie, brenda një sistemi besimi që përcakton cfarë është e drejtë dhe e padrejtë, e arsyeshme dhe e paarsyeshme, e moralshme dhe e pamoralshme, e natyrshme dhe perverse, njerëzore dhe çnjerëzore, e kështu me rradhë. Ky konsensus është themeli i politikës si përpjekje e vullnetshme për të organizuar jetën e përbashkët. Gjuha jonë, edhe ajo e historianit, nga një pikëpamje e tillë, nuk ndërtohet mbi ndonjë lloj pavarësie nga sfera e politikës, por mbi një konsensus të gjerë mbi kuptimin e fjalëve dhe koncepteve kryesore. Ky konsensus është politik për aq kohë sa është krijuar përmes një ligjërimi me një qëllimshmëri të caktuar. Ky konsensus është gjithashtu politik, sepse është ndërtuar në funksion të strukturimit të një kuptimi të përgjithshëm të botës: të së tashmes dhe të së shkuarës. E shkuara nuk konceptohet si një entitet i pavarur dhe përtej së tashmes. Përkundrazi, ajo gjithmonë perceptohet si një e tashme e shkuar. Edhe vetë koncepti i së shkuarës i nënshtrohet një kushtëzimi të tillë. Kur flasim për të shkuarën e Shqipërisë, ne presupozojmë një projektim të Shqipërisë aktuale në të shkuarën. E tashmja e saj shihet si një lloj “thelbi” ose “thelbi model”, trajtat e ndryshme të të cilit mund të gjehen në të shkuarën. Në këtë rast, ndryshe nga sa duam ta paraqesim, nuk është e shkuara që shpalos gjurmët e saj përpara nesh, njerëzve të së tashmes, por përkundrazi është e tashmja që përpiqet të zbulojë veten (zanafillën dhe ontologjinë e saj) në të shkuarën. Gjuha i referohet gjithmonë një konsensusi të tillë, pavarësisht sa i mundur është ai. Wittegenstein-i ka treguar qartë sesi gjuha jonë merr kuptim nga konteksti dhe mbi bazën e idesë ose iluzionit ndërsubjektiv se fjalët kanë të njëjtin kuptim për palët komunikuese. Është e qartë se fjalët nuk kanë të njëjtin kuptim për të gjithë, sepse konteksti ndërsubjektiv është njëkohësisht i ngritur mbi dy kontekste subjektive individuale, të ndërthurura edhe ato me kontekste të tjera komunikative. Megjithatë në rastin tonë edhe iluzioni na mbaron punë. Njerëzit komunikojnë vetëm në sajë të iluzionit se fjalët që përdorin kanë të njëjtin kuptim. Flas për iluzion, sepse komunikimi i plotë është i pamundur. Një situatë ideale komunikimi është e pamendueshme. Sa më tepër kërkohet saktësimi i kuptimit të fjalëve përmes shkrirjes së dy konteksteve individuale në një kontekst ndërsubjektiv, aq më i pamundur bëhet komunikimi, sepse sferat e mbivendosura komuniktive në të cilat bën pjesë individi e pengojnë këtë dhe ia përcjellin njëra-tjetrës këtë përpjekje të parealizueshme në pafundësi. Derrida-ja shikon te ky iluzion gjurmët e një metafizike të presupozuar jashtë vullnetit konkret të komunikuesve . Megjithatë këtu na mjafton të kuptojmë se edhe pa qenë ndërgjegjshmërisht metafizike, gjuha e historianit është pashmangshmërisht politike. Ai nuk mund të përdorë veçse koncepte të ndërtuara dhe të pranuara brenda një “sistemi besimi”, për të marrë një term nga Foucault-ja . Po sjell në kujtesë konceptin e sistemit të besimit, sepse konsensusi ose iluzioni i konsensusit mbi gjuhën nuk është thjesht produkt i një marrëveshjeje eksplicite apo implicite, por shpesh edhe produkt i një ligjërimi me natyrë politik, siç duket qartë në rastin e ligjërimit nacionalist. Kjo gjuhë është mediumi përmes të cilit e shkuara përcillet tek ne si një e tashme e shkuar, pashmangshmërisht përtej cdo lloj objektiviteti apo neutraliteti shkencor. Duke u kthyer te gjuha e historiografisë mund të themi se komunikimi i historianit me të shkuarën, p.sh. përmes një dokumenti të shkruar arkivor, mbetet viktimë e këtij problemi. Historianët mund të pretendojnë se i lenë faktet të flasin vetë, por në fakt shumica dërrmuese e librave të historisë nuk janë thjesht albume me dokumente të skanuar. Në rast se do të ishte kështu, roli i historianit nuk do të ishte dhe aq i nevojshëm, ndërkohë që problemi i përzgjedhjes mes rrëmujës dokumentare do të mbetej përsëri në fuqi. Në fakt, historiani i lexon dokumentet për ne, përpiqet t’i kuptojë dhe na ndihmon t’i kuptojmë. Por ky kuptim kalon përmes një serie presupozimesh iluzore. Së pari, mbi presupozimin se komunikimi gjuhësor i historianit me dokumentin është i mundshëm pa ndërhyrjen e subjektivitetit të kohës (ose të tijin personal, meqë është shpesh e njëjta gjë). Së dyti, mbi presupozimin se komunikimi ynë me historianin është gjithashtu jashtë sferës politike, pra jashtë njëfarë konsensusi tonin për t’i dhënë një kuptim të caktuar koncepteve që na ofrohen. Do të trajtoj pak më tepër këtë të dytin, meqë i pari u trajtua më lart. Le të marrim shembullin e koncepteve si “kryengritje”, “grusht shteti”, “revolucion” apo “luftë civile”. Historiani është i detyruar të na tregojë të shkuarën duke i vënë emra ngjarjeve të mëdha, pra duke përdorur koncepte të caktuara, si ato që përmendëm më lart. Dëshiroj të citoj këtu Nietzschen: “Çdo koncept lind nga identifikimi i jo-identikes. Njësoj si një gjethe nuk është kurrë plotësisht identike me një gjethe tjetër, po ashtu edhe koncepti i gjethes është krijuar nga braktisja e vullnetshme e diferencave individuale, përmes harresës së dallueses,, duke zgjuar kështu përfaqësimin, njësoj sikur të kishte në natyrë diçka të tillë si “gjethja”, njëfarë trajte origjinale mbi bazën e së cilës të gjithë gjethet thuren, vizatohen, maten.....” Historiani kalon përmes të njëjtit proces. Për ta bërë të shkuarën të kuptueshme për lexuesin ai kategorizon dukuritë dhe ngjarjet në kategori të paracaktuara të ndërtuara mbi identifikimin e jo-identikes. Duke “zbuluar” ngjashmëri mes ngjarjeve të ndryshme ai i rendit ato në kategori të njëjta përmes koncepteve si ato të përmendura më lart. Natyrisht që kjo na e bën shkuarën më të lexueshme, por njëkohësisht edhe e shndërron historianin në regjisor. Dhe këtu nuk është fjala për aksident . Sepse revolucionet, grushtet e shtetit, kryengritjet, krizat, e shumë ngjarje të tjera si këto nuk janë kurrë të njëjta me njera-tjetrën. Duke lidhur 2-3 veçori të ngjashme të tyre, historiani fut në të njëjtën kategori ngjarje që nuk janë kurrë e njëjta gjë. Prandaj nuk ka libra me tituj të tillë si “Historitë e popullit shqiptar” ose “Historitë e ngjarjeve të ngjashme me revolucionin francez”. Shkrimi i një “historie” është i mundur pikërisht nga reduktimi i pluralitetit të natyrave, shkakësive dhe formave në një grup kategorisht të përcaktuara paraprakisht. Ky përcaktim është pashmangshëmërisht politik, sepse ndërtohet mbi një pikëpamje të kufizuar të lexuesit mbi botën. Walter Lippman konstatonte të njëjtin problem me gazetarin kur tregonte në fillim të shekullit të shkuar sesi procesi i stereotipizimit dhe thjeshtëzimit mediatik burojnë nga nevoja e lexuesit për të kuptuar një realitet kompleks që do të ishte i pashpjegueshëm me gjuhë teknike . Historiani është gjithashtu i detyruar të përdorë gjuhën politike të lexuesit për të qenë i kuptueshëm. Natyrisht ka historianë që përdorin gjuhë plurale në përshkrimin e së shkuarës: ne i njohim ata me emrin shkrimtarë ose poetë. Gjuha e lexuesit është i vetmi kanal komunikimi që ka historiani. Ky kanal nuk mund të mos jetë politik (përveçse metafizik). Kuptimi i një teksti historiografie bëhet i mundur vetëm përmes “përkthimit” të gjurmëve të së shkuarës në gjuhën e sotme, pra përmes koncepteve të marra a posteriori nga historianët dhe në përdorim të gjerë publik. Mënyra sesi historiani i zakonshëm e përshkruan aktualisht të shkuarën do të tingëllonte e huaj jo vetëm për protagonistët (p.sh. për Napoleonin, Skënderbeun, etj), por edhe për historianët e kohës. P.sh. Skënderbeu, një feudal luftëtar që lufton për arsyet e tij, do të zbulonte se kishte luftuar për 25 vjet rresht për të mbrojtur lirinë e kombit shqiptar nga turqit, krijimin dhe funksionimin e një shteti shqiptar, dinjitetin e shqiptarit, etj. Shumë prej këtyre koncepteve, si tipikisht ai i kombit shqiptar do të duhej t’i shpjegoheshin paraprakisht, për faktin e thjeshtë se në kohën e tij nuk ekzistonin. Së katërti, vetë koncepti i historisë është një koncept politik. Hulumtimi (“historein” në greqisht) i historianit nënkupton jo vetëm një objekt, por edhe një mundësi kuptimi në të tashmen të dukurive të së shkuarës. Siç e thashë më lart, e shkuara nuk shihet si një grumbull ngjarjesh të mbledhura rastësisht në formë dokumentuese. Puna e historianit presupozon futjen e së shkuarës, e parë si një e tashme e shkuar, në kornizën e një tabloje të lexueshme dhe të kuptueshme. Kjo ka një pasojë të rëndësishme: kahun e kuptimit, i cili vjen nga e tashmja, në vend që të “zbulohet” tek e shkuara. Askush prej nesh nuk mund të kuptojë diçka përvecse në gjuhën që njeh. Askush prej nesh nuk mund ta kuptojë të shkuarën, përveçse me gjuhën (dhe konceptet që bart ajo) e së tashmes. Këtu vijmë te problemi tjetër i rëndësishëm. Kjo nevojë e pashmangshme për kuptim prek vetë mënyrën si e shohim të shkuarën. Tërësia e rrëmujshme, e mbipërcaktuar, e ndikuar nga shumë faktorë e logjika – shpesh të panjohur për ne – duhet shndërruar në një tablo të qartë. E shkuara paraqitet kështu si një tërësi e lidhur nga një logjikë e brendshme të cilën historiani e zbulon përmes analizës së gjurmëve dhe dokumenteve. Le të marrim një titull klasik libri: “Histori e Shqipërisë” ose “Histori e shqiptarëve”. Tituj të tillë presupozojnë domosdoshmërisht një zanafillë, një zinxhir ngjarjesh të lidhura në mënyrë logjike me njera-tjetrën dhe madje shumë shpesh edhe një shqiptarësi që ve në lëvizje gjërat duke tejkaluar pengesat biologjike, hapësinore e kohore. Nuk është aspak rastësi që historia e Shqipërisë ose historia e shqiptarëve fillojnë në kohëra kur as Shqipëria e as shqiptarët nuk ekzistonin. Ashtu sikurse nuk është aspak rastësi që historia si “shkencë” i ka dekadat e saj të arta në epokën e lindjes së nacionalizmit. Ky argument vlen për filozofinë e historisë, po aq sa për historianët. Nietzsche-ja ofron njw analizw shumw tw kthjellwt tw pwrdorimit tw historisw politikisht nw mwnyra tw ndryshme . Nuk ka ndonjë ndryshim në thelb mes analizës së historisë si luftë klasash, realizim i një projekti të natyrës ose të Zotit, luftë për dinjitetin njerëzor, etj. dhe analizës së historisë si shpalosja e një teleologjie që i shpëton së veçantës, së papërsëritshmes, rastësisë, mbideterminimit dhe kaosit. Së pesti, veprimtaria e historianit nuk mund të shihet jashtë marrëdhënieve të pushtetit brenda fushës së tij. Njësoj si në sferën politike, pesha, besueshmëria, dukshmëria dhe rëndësia e perceptuar e një historiani përcaktohen mbi bazën e asaj që Bourdieu-ja do ta quante “kapital simbolik” . Fusha e historianit është një fushë e përshkuar nga marrëdhënie pushteti. Një lloj tregu në të cilin historiani përpiqet të krijojë kapitalin e tij simbolik në raport me historianët e tjerë, jo thjesht përmes asaj që ai di, ose zbulon (pra përmes kompetencës së tij), por edhe përmes njohjes dhe validimit të kësaj kompetence nga sistemi. Ky sistem nuk është neutral e as nuk funksionon sipas ndonjë llogjike të pastër shkencore. Vlera e një punimi historik përcaktohet pashmangshmërisht dhe paraprakisht nga pozicioni që ze në këtë treg vetë historiani: nga CV-ja akademike, pozicioni në struktura shkencore e akademike, vlera e besueshmërisë së tij, aksesi në hapësirën publike dhe atë akademike, etj. Punimi i një historiani nuk gjykohet vetëm nga historianë. Ai nuk i shpëton dot gjykimit nga opinioni publik, sidomos për tema të rëndësishme. Debatet e mëdha mbi të shkuarën e botës apo Shqipërisë nuk u shpëtojnë dot gjykimeve vlerore dhe as censurës dhe auto-censurës së historianit. Oliver Schmitt-i mund të shkruajë për Skënderbeun pa asnjë kompleks në një mjedis universitar europian, por ama në Shqipëri, duke dalë nga shinat e historiografisë zyrtare shqiptare, nxiti pjesëmarrjen në debat, madje edhe dënimin publik dhe politik, nga një pjesë e mirë e opinionit publik, duke përfshirë sidomos historianë shqiptarë, shkrimtarë dhe politikanë të rëndësishëm. Sidomos politikanë . Le të ndalemi pak këtu, në përfundim, sepse një aleancë e tillë nuk më duket aspak e rastësishme. Historiani, shkrimtari dhe politikani kanë diçka të përbashkët në raport me qëndrimin e tyre ndaj historisë. Historiani pretendon të “shpalosë” të shkuarën para syve tanë duke gërmuar dhe ekspozuar “faktet”. Shkrimtari, në një përpjekje më të ndershme që nuk kërkon objektivitet, pretendon të shpalosë përpara nesh të vërtetën e tij mbi të shkuarën, madje një të “vërtetë” që (shpesh sipas tij) mund ta kapë subjektivisht vetëm syri estetik. Politikani, nuk mjaftohet me përshkrimin, por synon edhe përdorimin e së shkuarës. E megjithatë të tre nisen nga synimi për të kërkuar dhe gjetur tek e shkuara një kuptim të lexueshëm nga publiku. Në shumicën e rasteve madje, ky kuptim pretendon të jetë i vërteti, i sakti, ose më i afërti me objektiven. Të tre nisen nga presupozimi i mundësisë së gjetjes së një kuptimi të caktuar të së shkuarës, në kuadër të një tabloje të përgjithshme që në një mënyrë a një tjetër përfshin të tashmen dhe në disa raste edhe të ardhmen. Të tre gjithashtu nuk i shpëtojnë dot kufizimeve që u vendos gjuha e së tashmes. E vetmja gjë që i dallon është mënyra sesi secili i qaset “realitetit”. Gjuha artistike i jep ndoshta shkrimtarit njëfarë lirie me të madhe në raport me kolektiven dhe politiken. Mirëpo kjo nuk është e vërtetë për historianin dhe politikanin. Gjuha e të dyve nuk mund të mos ndërtohet mbi konsensusin me natyrë politike të përmendur më lart. Ky konsensus nuk është politik thjesht në versionin totalitar të tij, kur imponon gjuhën dhe realitetin që ajo krijon përmes një qëllimshmërie të përcaktuar qartë. Ai është pashmangshmërisht i tillë, pavarësisht vullnetit alternativ për të “thënë të vërtetën”, “për të qenë sa më afër së vërtetës”, apo për të “përshkruar realitetin objektivisht”. Historiani dhe politikani gjenden në dy misione të ngjashme. Dallimi është tek vetëdija eventuale e historianit për të përshkruar dicka përtej qëllimit të tij. Por ky dallim nuk është themelor dhe nuk zgjidh asnjë nga problemet e përmendura më lart. Kjo është edhe arsyeja e ndërhyrjes së shpeshtë të politikës në historiografi. Politikanët e ndjejnë veten më pranë fushës së tyre brenda historiografisë, jo thjesht për shkak të dëshirës për ta manipuluar atë, por për shkak të ngjashmërisë së përdorimit të ligjërimit në politikë dhe histori. Historiani dhe politikani kanë në thelb të njëjtin profesion: atë të krijimit të realitetit përmes ligjërimit politik, pavarësisht nëse këtë e bëjnë në mënyrë të qëllimshme ose jo. Dhe ja ku vijmë te pyetja me të cilën e nisëm: si të shkruajmë histori me gjuhë politike? Nuk ka asgjë të pamundur këtu. Nga pikëpamja klasike mund të themi se është e pamundur të shkruajmë histori objektive me gjuhën njerëzore, sepse ajo është pashmangshmërisht politike. Mirëpo ideja e pamundësisë vjen nga ndarja e përhershme mes historiografisë dhe politikës si dy entitete të natyrave të ndryshme. Shkrimi i historisë është i mundshëm edhe përtej sfidave që u parashtruan më lart, pra përtej natyrës politike të koncepteve dhe gjuhës që ajo përdor. Por me disa ndryshime të rëndësishme. Së pari, historiani nuk mund të pretendojë, ashtu si nuk mund të pretendojë as politikani, të ketë “zbuluar” të vërtetën, realitetin objektiv, apo çfarëdo tabloje tjetër përfundimtare të së shkuarës. Nga ana tjetër, lexuesi duhet ta shohë tekstin historiografik me një sy tjetër: jo thjesht si një version të historisë, por si një version projektimi i së tashmes tek e shkuara dhe në njëfarë mënyre si një përpjekje politike për ta projektuar edhe atë vetë brenda kësaj të shkuare. Tekstet historiografike nuk bëhen të palexueshme sepse shkruhen me gjuhë politike, por kërkojnë një përpjekje të dyfishtë – nga historiani dhe lexuesi – për të evidentuar pikërisht presupozimet që lidhin historiografinë me politikën. Ky evidentim nuk është thjesht një nevojë metodologjie. Ai është në të vërtetë edhe një mënyrë e të shkruarit të së tashmes. |
| Last Updated on Thursday, 25 June 2009 08:36 |





