Apologji me doreza e kokës së turkut. PDF Print E-mail
Written by Ermal Hasimja   
Tuesday, 04 August 2009 07:10


Një herë në vit, hebrenjtë e vjetër sakrifikonin një cjap dhe dëbonin një tjetër në shkretëtirë pasi i kishin ngarkuar simbolikisht atij të gjithë mëkatet e tyre. Grekët e lashtë bënin të njëjtën gjë duke rrahur dhe dëbuar nga qyteti ndonjë lypës apo keqbërës të cilit i ngarkonin simbolikisht fajin për ndonjë epidemi apo luftë. Antropologët dhe psikologët e shohin ritualin e cjapit të dëbuar (caper emissarius) të pasqyruar tek shumë dukuri të jetës sociale e politike bashkëkohore. Zakonisht bëhet fjalë për një mekanizëm që mundëson shkarkimin e dëshirës posesive ndaj një objekti të zotëruar nga dikush tjetër. Në një formë tjetër më të përgjithshme, ky ritual i jep mundësinë një grupi të rindërtojë unitetin e brendshëm përmes heqjes qafe të një antari, që zakonisht bëhet kurban pa ndonjë faj real, por thjesht në cilësinë e bartësit simbolik të “fajit” për problemet e grupit.
Një mekanizëm i tillë duket se shpjegon deri diku një pjesë të atij vrulli në rritje të kërkesave për largimin e Ramës nga kreu i PS-së. Kjo shikohet qartë nga kontrasti i thellë mes kundërshtive të tashme me heshtjen shembullore të parafushatës. Kritikat e stome ndaj Ramës mund t’i ndajmë në dy kategori kryesore.
Kategoria e parë është ajo taktike: Rama është fajtor sepse nuk përdori strategjinë e duhur për të fituar, pra largoi LSI-në, i bëri përshesh listat, nuk ishte i qartë për votuesit, e personalizoi fushatën, etj. Pyetja e parë që të vjen ndërmend është kjo: a do të ishin kundër Ramës të gjithë ata që sot i zbulojnë publikut problemet e pafundme të tij, nëse ky i fundit do të kishte fituar zgjedhjet? Nuk besoj se spekulojmë shumë nëse themi se përgjigjia është “jo”. Në fakt këtë e shpallin vetë këta kritikë kur ofrojnë si argument themelor parimin: po nuk fitove zgjedhjet, duhet të ikësh. Mirëpo ky parim, i shpallur në këtë mënyrë, ka disa probleme të mëdha. Problemi i parë është se ai presupozon se përgjegjësinë e ka të gjithën kryetari dhe të tjerët janë delet e tij të bindura. Pse nuk e ndihmuan këta kritikë kryetarin e tyre të mos humbte mendjen si Xhaferi simiten? A nuk ishte partia socialiste aq demokratike sa për ta sjellë në terezi kryetarin? Nëse nuk ishte aq demokratike, atëherë përse nuk u tha pothuajse asgjë, përse nuk u bë asnjë betejë? Çfarë ndryshoi nga dje në sot, përvec mundësisë për të përdorur Ramën si kokë turku e për të sjellë dikë tjetër në vend të tij? Së dyti, ky parim presupozon gjithashtu se qëllimi i vetëm dhe përfundimtar i ekzistencës së kryetarit dhe partisë qenka fitorja e zgjedhjeve. Mos na qenka kryetari thjesht menaxher marrëdhëniesh publike dhe burimesh njerëzore? Kjo është vallë arsyeja e ekzistencës së PS-së? Kjo na qenka PS-ja vallë: një makinë për marrjen e pushtetit dhe shndërrimin e disave në ministra dhe të njërit në kryeministër? Për këtë votuan shqiptarët e majtë? A ka kjo “makinë” ndonjë funksion përfaqësues? A i shërben ajo individëve që synojnë poste apo votuesve të saj që mbështesin një mënyrë të caktuar qeverisjeje? A duhet të ketë PS-ja ndonjë ide qeverisëse, përveç idesë për të marrë qeverinë?
Kategoria e dytë e kritikave ndaj Ramës është ajo ideologjike. Në fakt është e tepërt të flasësh për ideologji në rastin e programit të PS-së, i cili u përgatit pikërisht për të qenë përtej ideologjisë. Dhe përderisa askush prej kritikëve të sotëm të Ramës nuk doli kundër këtij qëndrimi përpara fillimit të fushatës, vështirë së ka ndonjë legjitimitet dhe sinqeritet sot për të mbrojtur pa hipokrizi kritika (shumë të vlefshme në fakt) të tipit “humbëm sepse u larguam nga e majta”, apo “humbëm sepse nuk kishim program konkret”. Kjo ishte vërtet një nga arsyet e humbjes së Ramës, por nuk vlen si kritikë pas pilafit. Ose Rama ishte diktator dhe kritikët e tij të sotëm janë të paaftë ta kundërshtojnë në kushte paqeje, ose ishin të gjithë dakort me Ramën për aq sa ai kishte shanse për të marrë pushtetin.
Në fakt bilanci mes kritikave taktike dhe ideologjike është thellësisht në favor të të parave, gjë që vërteton fatkeqësisht se shqetësimi më i madh i kritikëve të Ramës sot nuk ishte pamundësia për të përfaqësuar votuesit e partisë më të madhe në vend, por thjesht paaftësia për të marrë pushtetin përmes mekanizmave të tij. Kjo do të thotë se pari se Rama shihet sot përgjithësisht nga kritikët e tij brenda partisë si një cjap i dëbueshëm, të cilit, ndryshe nga rrëfenjat biblike, jo vetëm që do t’i ngarkojnë mbi kurriz mëkatet e gjithë partisë, por për më tepër do t’ia faturojnë si të tijat. Në këtë situatë papërgjeshmërie politike, Rama, ka po aq të drejtë sa dhe akuzuesit e tij të mos e vrasë mendjen për parimet e statutit, të cilat mund të interpretohen sipas qejfit (p.sh. në mundësinë e rikandidimit). Dhe në këtë rrëmujë, përveç mediave që do të stërvisin aftësitë e tyre për të skenarizuar teleseriale dhe për të testuar teoritë e lojës, nuk do të përfitojë asnjë votues i majtë. Ndërsa “politika e re” e Ramës ishte përtej ideve, tek kryetari, kritikat e reja kundër tij, duket se janë të së njëjtës formë: përtej ideve dhe votuesve, tek kundër-kryetari.
Elektorati i majtë duket sot më jetim se kurrë. Ndërkohë që në kampin e kundërt, elektorati i djathtë, duke përfituar edhe nga simpatia e fundit e qeverisë për martesat e pazakonta, do të ketë “prindër” të dyfishtë.
Kritikët e Ramës thonë se po shmanget analiza e humbjes. Në të vërtetë, tashmë është tepër vonë për analizën e humbjes. Ajo duhej nisur përpara fushatës. Ajo që do të shohim në javët në vijim është një lojë shahu në të cilën aktorët e të dy anëve shpesh nuk e kanë problem as të thonë me gojën e vet atë që do të duhet të paktën ta fshihnin për hir të parimeve të përfaqësimit demokratik: domethënë se nuk e kanë hallin thjesht tek ndarja e thelave brenda partisë, por tek aftësia e saj e gjymtuar tashmë për të përfaqësuar mbi 40% të votuesve të këtij vendi.
Ndryshe nga hebrenjtë, ata nuk mund ta fshehin simbolikisht faktin se mëkatet që i ngarkohen cjapit të dëbuar, janë në fakt mëkatet e gjithë dëbuesve.  

Last Updated on Tuesday, 04 August 2009 07:12
 

Universiteti Europian i Tiranës